Një episod jo i bukur, ka ndodhur në Hamburg, pas përfundimit të sfidës mes Kroacisë dhe Shqipërisë, e cila u mbyll në barazim 2-2. Teksa të gjithë futbollistët i’u afruan tribunës ku ishin vendosur tifozët kuqezi, një episod jo i këndshëm, ndodhi me Mirlind Daku, që në ovacione e sipër, i shpëtuan edhe fraza aspak të hijshme në drejtim të Maqedonisë së Veriut.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, në vendin fqinj, të cilët e kanë dënuar xhestin e pahijshëm të Dakut, si dhe janë shprehur se për këtë episod, do i drejtohen edhe UEFA-s, për marrjen e masave.

Reagimi i plotë:

Shprehim shqetësimin tonë të thellë dhe dënojmë thirrjet nacionaliste të futbollistit të Shqipërisë Mirlind Daku drejtuar kundër shtetit të Maqedonisë pas ndeshjes së djeshme ndërmjet Kroacisë dhe Shqipërisë në Kampionatin Europian. Një sjellje e tillë është e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat bazë të sportit dhe respektit të ndërsjellë që promovon futbolli.

Sporti, veçanërisht futbolli, është baza e një bashkëpunimi dhe respekti ndërmjet Kombësive të ndryshme. Retorika nacionaliste, megjithatë, i minon këto parime, duke nxitur ndarjen dhe armiqësinë midis tifozëve dhe shoqërive. Parimet politike janë të përfshira në rregulloret e shoqatave ndërkombëtare si FIFA dhe UEFA. Federata e Futbollit të Maqedonisë do t’i dërgojë një letër zyrtare UEFA-s për këtë sjellje skandaloze.

I bëjmë thirrje futbollistit shqiptar Mirlind Daku që të kërkojë falje publike për sjelljen e tij dhe për dëmin që ka shkaktuar. Gjithashtu u bëjmë thirrje institucioneve përkatëse që të hetojnë këtë incident dhe të marrin masat e duhura disiplinore për të përforcuar standardet e sjelljes që priten nga të gjithë sportistët. Angazhimi ynë për të promovuar unitetin, respektin dhe lojën e ndershme në sport mbetet parësor.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb