TIRANË

Gazetarja e “BalkanWeb”, Dorjana Bezat, ka zbardhur detaje të reja, lidhur me vrasjen e 26-vjeçarit Indrit Çelaj nga dy djemtë e pronarit të vilës, në të cilën po punonte për kondicionim.


Gazetarja Bezat raporton se autorët e vrasjes së të riut janë dy vëllezërit Griseldo dhe Albano Kusi, të cilët janë shpallur në kërkim.


Ndërkohë, për përkrahjen e autorëve dhe moskallëzim të krimit është arrestuar babai i tyre, Bujar Kusi, si dhe shtetasit Edmond Sula, Ferdinant Bakalli dhe Luan Çaka.


Pas ngjarjes së rëndë, vëllezërit Kusi kanë kontaktuar mikun e tij L. V., duke i kërkuar të marrë përsipër krimin, meqenëse ai ishte në kërkim për vepra të tjera penale. Ky i fundit nuk ka pranuar dhe në momentin e arrestimit nga policia, ka rrëfyer gjithë bisedën e vëllezërve Kusi.

Vëllezërit Griseldo e Albano Kusi 31 dhe 28 vjeç nuk janë emra të panjohur për policinë e kryeqytetit.  Në janar të vitit 2012 Griseldo Kusi është vënë në pranga si autor i dyshuar i plagosjes me armë zjarri të Bojken Spahiut, ngjarje e ndodhur shumë pranë banesës së familjes Kusi. Ndërsa Albano Kusi është arrestuar nga policia në shkurt të 2011 për vrasjen e Shkelqim Nozllit në Qafë Krrabë. Në atë kohë polica tha se ngjarja ndodhi në përleshje e sipër mes 2 personave të cilët ishin në konflikt për një borxh të pashlyer.

(d.ç./BalkanWeb)