ELBASAN

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi ka reaguar pas vendimit për transferimin e Drejtorisë Arsimore Rajonale të Elbasanit në Korçë.

Ai shprehet se kjo është një dhuratë nga qeveria në 110-vjetorin e Normales së Elbasanit. Sipas tij, lëvizje të tilla si në Shkodër ashtu edhe në Elbasan janë tregues i qartë i krizës në fushën e arsimit.

Postimi i Boçit:

DHURATA E QEVERISË PËR 110 VJETORIN E NORMALES

Nuk është vetëm Shkodra, DAR i së cilës kalon në Lezhë, e shqetësuar për këtë skandal. Edhe DAR Elbasan kalon diku larg në Korçë, e shndërrohet në një ZA, sipas një organizimi banal që nuk thotë asgjë e nuk sjell asgjë. Këto lëvizje pa logjikë e kuptim, dëshmojnë krizën ku e ka futur arsimin Rama. Kësisoj, qyteti i Normales së njohur si Universiteti i parë shqiptar, i mësuesve të mirënjohur që kanë mbjellë dije kudo në trevat shqiptare, kalon në varësi të Korçës.

Për më tepër, jemi në vigjilje të 110 vjetorit të kësaj shkolle. E kjo dhuratë është e turpshme dhe e papranueshme. Është një lloj çnderimi që i bëhet qytetit, mësuesve të shumë brezave e Normales. Korça ka traditën e saj, kontributin e saj në shkollēn shqipe dhe vlerën e saj të pazëvendësueshme. Por ky nuk është argument, për t’i hequr Elbasanit të drejtën e politikave lokale për arsimin, duke i shkulur Drejtorinë Arsimore. Revolta ime nuk është nacionalizëm periferik.

Kjo është sikur t’i heqësh zemrën këtij qyteti që në vite është identifikuar me mësuesinë. Po pushteti lokal çfarë bën?! Po deputetët e Elbasanit pse heshtin?! Apo në fillim partia e më pas qyteti!!!!???

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb