SHBA-Departamenti i Shtetit përshëndeti kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë si dhe përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, për atë që e quajti sukses të takimeve në kuadrin e dialogut të nivelit të lartë më 9 dhe 10 shkurt në Bruksel.

Takimet mes kryeministrave Isa Mustafa dhe Aleksandër Vuçiç, me pjesëmarrjen e shefes së politikës së jashtëme të BE-së Federica Mogherini, çuan në nënshkrimin e marrëveshjes për çështjet e drejtësisë.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki tha se kjo marrëveshje shënon një hap përpara në procesin e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë.

Zonja Psaki tha se kjo sinjalizon gjithashtu angazhimin e vazhdueshëm dhe të fortë të të dyja palëve për zbatimin e plotë të marrëveshjes së arritur në Bruksel në prill të vitit 2013 mes Prishtinës dhe Beogradit.

Shtetet e Bashkuara, tha zonja Psaki, do të vazhdojnë të mbështesin fuqimisht të gjitha palët në këtë përpjekje.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: