Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi në përfundim të takimit me Presidentin e vendit Ilir Meta, deklaroi se bisedimet me të u fokusuan tek një datë e re zgjedhjesh, pasi nuk mund të jetë 30 qershori.

Shehi tha se nga mbrëmja e sotme Presidenti mund të dalë me një vendim për të dekretuar një datë të re zgjedhjesh, por deri atëherë do të duhet të presim.

“Diskutuam për situatën, e cila siç e dini po rëndohet. Presidenti ka një ide të tillë që zgjedhjet ligjërisht më datë 30 nuk bëhen. Besoj se do bëjë një dekret të ri për një datë të re zgjedhjes. Do ketë gjatë ditës diskutime, dhe diku nga mbrëmja publiku mund të marrë vesh diçka”, u shpreh Shehi.

Kujtojmë që Kreu i Shtetit Ilir Meta i ka nisur takimet në mëngjes me kryedemokratin Lulzim Basha e nënkryetarin e LSI-së Petrit Vasili për të vazhduar me Shefen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Jutta Gützkoë, krerët e partive të djathta në aleancë me PD dhe së fundmi me trojkën e ambasadorëve të akredituar në vend.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb