TIRANË- Në raportin e përvitshëm të Departamentit amerikan të Shtetit për luftën kundër drogave në botë, që iu dorëzua të mërkurën Kongresit, Shqipëria cilësohet si një vend që shërben si burim i rëndësishëm marijuane dhe si një pikë nga transportohet heroina dhe kokaina e destinuar për tregjet evropiane.

Në raport thuhet se sasia e drogës së kapur dhe numri i arrestimeve u rritën ndjeshëm gjatë vitit 2014. Kjo u arrit si rezultat i shtimit të bashkëpunimit të Shqipërisë me partnerët rajonalë, veçanërisht me policinë italiane, si dhe shtimit të angazhimit për të luftuar prodhimin e drogës dhe trafikimin e saj nga autoritetet politike dhe ato të rendit të Shqipërisë, që çuan në rritjen e madhe të operacioneve në mbarë vendit, thotë më tej raporti. Me përjashtim të marijuanës, Shqipëria nuk është një prodhues i rëndësishëm drogash, apo lëndëve për përftimin e tyre ose drogave sintetike. Qeveria e Shqipërisë nuk mban statistika për përdorimin e drogave. Me përjashtim të marijuanës, përdorimi i drogave të tjera nuk duket se është diçka e përhapur.

Sipas policisë shqiptare, sasia e marijuanës së kapur në nëntë muajt e parë të vitit 2014 ishte 101.7 tonë, një rritje e ndjeshme kjo nga sasia e përgjithshme prej 96 tonësh nga viti 2005 deri në vitin 2013. Në mbarë vendin po ashtu u shkatërruan 530,177 bimë marijuane në 2,214 parcela individuale. Shumica e parcelave të mbjella ishin identifikuar nga autoritetet italiane. Policia shqiptare po ashtu ka kapur 63 kg heroine dhe 23 kg kokainë.

Gjatë të njëjtës periudhë 9 mujore të raportuar, policia arrestoi 1058 persona për shkelje që lidhen me trafikimin e drogave, duke kaluar numrin total të të arrestuarve për 2013 që ishte 803. Shqipëria ka bashkëpunuar me autoritetet evropiane dhe ato të Amerikës së Jugut për të kapur 250 kg kokainë në portin e Barit në Mal të Zi, që kishte si destinacion Shqipërinë, për t’u transportuar më pas në Evropë.

Shqipëria vazhdon të marrë ndihmë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për përmirësuar aftësitë e saj në luftën kundër drogave, përfundon raporti i Departamentit të Shtetit.

KOSOVA

Departamenti Amerikan i Shtetit vlerëson se Kosova mbetet vend tranzit për drogat që transportohen drejt Evropës, por nuk është burim i rëndësishëm i narkotikëve të paligjshëm.

Në raport, thuhet se Kosova bashkërendon përpjekjet e disa agjencive për luftë kundër trafikimit të narkotikëve dhe është duke zbatuar strategjinë kombëtare kundër drogave dhe planin veprues pesë vjeçar që synon zvogëlimin e ofertave dhe kërkesave bashkërendimin e brendshëm dhe atë me partnerët ndërkombëtarë.

Në raport thuhet se në periudhën ndërmjet janarit dhe shtatorit të vitit 2014, autoritetet e Kosovës, kanë konfiskuar 672 kilogram marijuanë, 21 kilogram drogë të tipit kokainë dhe më pak se dy kilogram të tipit heroin. Këto të dhëna dëshmojnë shtimin e konfiskimeve të marijuanës dhe kokainës nga viti 2013, sikundër edhe rënie të konfiskimit të heroinës. Policia ka konfiskuar mbi 5 mijë fara të canabisit dhe mbi 3 mijë e 700 bimë të marihuanës.

Në raport thuhet se faktorët negative që ndikojnë në luftën e Kosovës kundër trafikimit të narkotikëve janë pozita e saj gjeografike bashkë me rrugët tradicionale të kontrabandës; integrimi jo i plotë i komunave veriore; ekonomia e varfër; mosnjohja nga disa vende të rajonit dhe sistemi jo i frytshëm imenaxhimit te kufirit.

Departamenti i Shtetit thekson se nuk ka raporte gjithëpërfshirëse që vlerësojnë përdorimin e drogave në Kosovë. Gjykuar nga informacionet në dispozicion, shumica e përdoruesve janë meshkuj dhe marijuana është zgjedhja e tyre.

Për të zvogëluar përdorimin e drogave, ministritë e arsimit dhe shëndetësisë organizojnë programe edukative. Oficerë të policisë mësojnë nxënësit mbi rreziqet nga drogat, ndërsa organizatat joqeveritare ndihmojnë nëpërmjet edukimit dhe trajtimit.

Vlerësimi i ndikimit të korrupsionit në trafikimin e narkotikëve në Kosovë, është i vështirë. Ligjet ndalojnë një gjë të tillë, por ka dyshime se drogat lëvizin përtej kufijve të Kosovës, ndonjëherë me pajtimin e heshtur të zyrtarëve.

Raporti thekson se meqë Kosova nuk është ende anëtare e Kombeve të Bashkuara, është e përshirë vetëm në një pjesë konventave ndërkombëtare dhe protokolleve, apo e marrëveshjeve dypalëshe për luftë kundër drogave. Kosova bashkëpunon dhe shkëmben informata me fqinjët nëpërmjet takimeve joformale dypalëshe apo shumëpalëshe.

Në raport thuhet se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të ndërtojnë dhe forcojnë marrëdhëniet me policinë e Kosovës duke ofruar ndihmë teknike dhe aftësim nëpërmjet programeve amerikane të ndihmës. Kosova ka filluar të negociojë një marrëveshje ekstradimi me Shtetet e Bashkuara në vitin 2014.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: