VLORË- Kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi nga Vlora se shqiptarët po bashkohen pavarësisht dallimeve politike kundër dyshes Rama-Meta. Partia Demokratike ka mbajtur sot protestën e radhës në qytetin e Vlorës. Qindra qytetarë me pankarta në duar dhe thirrjet “Rama ik”, “Meta ik” kanë dalë në protestë kundër qeverisë. Përveç deputetëve, drejtuesve të PD-së, krah kreut të PD-së, Lulzim Basha ishte edhe deputeti i PDIU-së për Qarkun e Vlorës, Dashamir Tahiri, i cili u ka bërë thirrje qytetarëve të bashkohen kundër qeverisë, pavarësisht se kreu i kësaj partie, Shpëtim Idrizi i është bashkuar koalicionit të PS-së.

“I provuam për 45 vjet me radhë kemi dhe dy vjet që i provuam na çuan prapë si para ‘90­-ës ndaj nuk ka rëndësi nëse jemi të djathtë apo të majtë, ekonomia nuk ka ngjyrë, e shikoni vetë se ku e kanë katandisur gjendjen. Të bashkohemi të gjithë bashkë, kemi qenë atje ku jemi, rroftë demokracia, rroftë Çamëria, rroftë Shqipëria”,­ thaTahiri.

Kryedemokrati Basha tha se qytetarët e Vlorës janë bashkuar në shesh për të protestuar kundër nëpërkëmbjes së dinjitetit të tyre. Basha tha se vendi dhe qytetarët po përballen me probleme të mëdha ekonomike, me taksa të rritura, me mungesë sigurie, ndryshe nga sa premtoi PS-ja dhe kryeministri Rama.

“Jemi në Vlorë, aty ku është zanafilla e shtetit shqiptar, tek ky shesh që quhet Pavarësia sepse Vlora e ka qëndisur me dorën e saj pavarësinë. Nuk ka arsye më të fortë për qytetarët, vlonjatët të bashkohen në sheshin Pavarësia se sa dinjiteti i tyre. Dinjiteti që është nëpërkëmbur prej dy vitesh nga Rama-Meta. Në çdo qytet në çdo fshat të Shqipërisë, në çdo lagje shtëpi kam prekur e po prek në fjalët, vështrimet, në dhimbjen e njerëzve, shpirtin e tyre revoltën kundër pabesisë së një qeverie që grisi premtimet me të cilat mori votën. Revoltën kundër fjalëve të bukura dhe gurëve në trastë të Edi Ramës e Ilir Metës me shokë, varfërojnë shpresat e shqiptarëve, plagosin ëndrrat e njerëzve të thjeshtë. Revolta është mbarëkombëtare. Pa dallime politike, shqiptarët po bashkohen rreth PD-së kundër dyshes Rama-Meta”, deklaroi Basha.

Kreu i demokratëve i ka bërë thirrje vlonjatëve të çohen kundër arrogancës së qeverisë dhe të ndëshkojnë me votë gënjeshtrat dhe zullumet e dyshes Rama-Meta.

“Shqiptarët po shikojnë e po pyesin, çfarë thotë Vlora, çfarë do të bëjë Vlora? A e pranon Vlora, politikën e dajakut, a e pranon arrogancën e dyshes Rama-Meta që i hedh kripë plagëve që ka hapur vetë? Shqiptarët pyesin çfarë do ti thotë Vlora, këtyre mynxyrave, dyshes Rama-Meta? Nuk mund të pajtohet Vlora me arrogancën e qeverisë. Vlora po e jep dhe do ta japë shembullin e kërkimit të llogarisë deri më një dhe ndëshkimin me votë të gënjeshtrave dhe zullumeve. Kryeministri që është deputet i Vlorës, premtoi në zgjedhje një kataklizëm se do e kthente Vlorën përmbys dhe do ndodhte mrekullia. Vlora u kthye përmbys por mrekullia nuk ndodhi”, tha Kreu i PD-së.

Basha tha se qytetarët e kanë humbur shpresën ndërsa kryeministrit dhe kreu i Kuvendit sipas tij janë zhdukur. Ai i quajti sahanlëpirës krerët e partive që po afron Rama në koalicionin e majtë.

“Vlonjatët kanë humbur shpresën, kanë humbur besimin. Qeveria, dyshja Rama-Meta janë zhdukur. Vlora refuzon krimin. Pushteti i vërtetë janë njerëzit dhe jo njerëzit me pushtet. 21 qershori po afron. Jam i bindur se Vlora, kjo gjykatëse e rreptë do të dijë ti japë përgjigjen kësaj oligarkie. E keni parë se si po rend Edi Rama të kapë çdo sahanlëpirës që i vjen vërdallë. Edi Rama i tërheq sepse e di që e ka humbur mbështetjen e socialistëve, e di mirë sepse e di që kuotat i kanë rënë. Aleanca e PD-së me qytetarët. Me ju është aleanca dhe me qindra shqiptarë që janë kredhur në mjerim”, tha kryedemokrati.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani tha se Vlora nuk është çiflig i Ramës dhe Koços ndaj është koha për të protestuar.

“Jemi mbledhur për të vendosur vetë për fatet tona. Koha është për të protestuar sepse sot më shumë se kurrë kemi nevojë të ngremë zërin. Kemi nevojë të tregojmë se jemi të fortë dhe se kuptojmë se çfarë po ndodh. Punë nuk ka, taksat janë rritur, konsumi ka rënë. Në tryezat tona kemi gjithmonë e më pak mirëqenie. Arsimi është më keq se çka qenë. Shëndetësia po rrokulliset. Turizmi është në rënie të lirë. Edhe kjo verë nuk do të jetë më e mirë për turizmin e Vlorës. Krimi dhe kriminelët po na e vështirësojnë çdo ditë jetën. Ndaj jemi mbledhur të protestojmë në këtë shesh. Vlora nuk është çiflig i Ramës dhe Koços. Vlonjatët s’mund të kthehen në hyzmeqarë të kryeministrit dhe kryedhimës”, deklaroi Ristani.

Ai theksoi se sot ata që morën votën dhe premtuan rilindje sillen si pashallarë dhe nuk duan t’ja dinë për popullin duke sjellë si shembull rastin e familjeve të lagjes “Kushtrimi”, të cilëve ju prishën shtëpitë.

“Shikoni si sillen sot, si pashallarë. Gënjyen për gjoja rilindje, po ja ku jemi, ndërtojnë çdo ditë sarajet e tyre dhe prishin shtëpitë e të varfërve. Këta pashallarë nuk kanë dashur familjet e tyre dhe jo të duan familjet tona dhe popullin. Sundimtarë të Vlorës janë vetë vlonjatët. Vlora s’ka nevojë për sundimtarë. Kryetari i Bashkisë nuk është për tu marrë shembull se ka bërë ndonjë punë të mirë për Vlorën, por për një gjë do ta mbajmë mend kryetarin e Bashkisë së Vlorës, se çfarë i bëjnë socialistët njeri-tjetrit. PD ka bërë gjithmonë më të mirën për Vlorën dhe qytetarët, s’kemi qenë të shkëlqyer por kemi lënë shembuj të dukshëm”, tha Ristani.

 

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb