Ambasador Dashnor Dervishi, një personalitet me karrierë 45 vjeçare në fushën e diplomacisë, do të jetë Kryetar i Bordit të Administrimit i Universitetit “Luarasi”. Ish-kryetari i Bordit Administrativ, Profesor Aleks Luarasi themelues i Universitetit të parë privat të Drejtësisë ka dhënë dorëheqjen për shkak të moshës.

Kryetari i ri i organit më të lartë administrativ vendimmarrës, Dashnor Dervishi është prezantuar para stafit akademik nga Presidenti i Hysenbelliu Group, zoti Irfan Hysenbelliu, i cili tha se ambasador Dervishi me përvojën e tij të vyer do të japë më të mirën për ta çuar përpara emrin e mirë dhe të besueshëm të “Luarasit”.

“Bordi u mblodh dhe zgjodhi zotin Dervishi, një ambasador në karrierë, një njeri që në çdo shtet që ka qenë, në vende të ndryshme të botës ka lënë një emër të mirë. Me gjithë përvojën që ka, qoftë në diplomaci, qoftë edhe nga jeta do japë më të mirën për ta çuar këtë Universitet përpara”, tha zoti Hysenbelliu.

Ambasadori Dervishi e cilësoi një ëndërr kalimin nga diplomacia ne boten akademike dhe premtoi bashkëpunim të ngushtë me gjithë stafin pedagogjik të “Luarasit”.

“Të mbyllësh karrierën diplomatike dhe të kalosh në botën akademike është ëndërr e çdo zyrtari, e çdo punonjësi, studiuesi në çdo vend të botës. Aq më shumë që kjo ëndërr për mua realizohet në Universitetin Luarasi që është një nga Universitetet më të mira në Shqipëri”, u shpreh zoti Dervishi.

Rektori i “Luarasit”, profesor Et’hem Ruka pasi përmendi kontributin e kreut të ri të Bordit Administrativ në shërbimin e jashtëm, u shpreh se bashkëpunimi do të vijojë për t’i sjellë “Luarasit” suksese të reja.

“Ka qenë një jetë e tërë e pashkëputur nga një shtet në një shtet tjetër, në vende shumë të rëndësishme, në kohëra të vështira të diplomacisë shqiptare e ka përfaqësuar vendin me shumë dinjitet. Ai do të jetë pothuajse vazhdimisht këtu afër nesh, do të bashkëpunojë ngushtë me një synim të vetëm që universitetin ta rrisim. E kemi rritur vitin e kaluar, shpresoj që kjo rritje të jetë e pandërprerë edhe në vitin akademik që kemi përpara”, tha ai.

Dashnor Dervishi është një nga diplomatët që ka dhënë një kontribut të madh në diplomacinë shqiptare. Në vitin 1988 ai u emërua ambasador i Shqipërisë në Itali, post që e mbajti deri në vitin 1992, duke hyrë në histori edhe si ambasadori i fundit i Shqipërisë komuniste në Itali. Në dhjetor të vitit 1998, Dashnor Dervishi u emërua ambasador Fuqiplotë i Shqipërisë në Izrael, deri në vitin 2003. Që nga viti 2003 e deri në vitin 2005, Dashnor Dervishi punoi si drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme Rajonale në Ministrinë e Jashtme.

Në vitin 2006 Dervishi u emërua ambasador Fuqiplotë i Shqipërisë në Rumani e së fundi në Greqi.

Në 2017, Presidenca i ka akorduar zotit Dervishi, gradën personale “Ambasador” si një nga diplomatët me kontribut të madh në diplomacinë shqiptare. Dashnor Dervishi dhe Ilir Boçka janë të parët diplomatë që e marrin zyrtarisht këtë gradë pas viteve ’90.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb