Ishte vera e vitit 2010, Juventusi niste epokën Del Neri dhe bashkarisht edhe atë të Paratiçit e Marotës. Të tre erdhën në bllok nga Sampdoria, që sapo ishte kualifikuar në Champions. Më 1 korrik, Leonardo Bonuçi merrte një biletë vetëm vajtje nga Bari drejt Torinos: qendra e skuadrës së Venturës bashkohej me bardhezinjtë për t’u bërë një emër i madh, por sezoni nuk ishte nga më të mirët. Juventusi u rendit i shtati, Del Neri u shkarkua dhe mbrojtësi u kontestua shumë. Paratiçi dhe Marota vendosën të thërrisnin në detyrë në stadiumin e rilindur ish-kapitenin Antonio Konte. Është nisja e një historie të fortë dashurie.


Boni Juve
Boni Juve

Konte beson shumë tek i riu dhe e vendos titullar në mbrojtjen me katër në javët e para. Por pika e kthesës në karrierën e Leos do të vijë në javën e 11-të, kur trajneri rreshton për herë të patë ekipin me skemën 3-5-2, ku Barzajli, Bonuçi e Kielini janë treshja e mbrojtjes. Që prej kësaj dite, BBC do të shënjojë një epokë duke fituar 6 tituj radhazi dhe duke e çuar Italinë në finalen e Euro 2012 dhe në çerekfinalet e Euro 2016. Ndërkohë Konte kishte përshëndetur dhe kishte ardhur Alegri, që rikthen mbrojtjen me 4, por lë sërish Bonuçin titullar, të paktën deri në ndeshjen Juventus-Palermo në sezonin 2016-2017.


Gjatë asaj ndeshjeje, Bonuçi nuk pëlqeu disa vendime të Alegrit dhe të dy u ofenduan në distancë, lojtari nga fusha dhe trajneri nga stoli. Pas pak ditësh vjen transferta ndaj Portos dhe të gjithë prisnin Leon në vendin e tij, por Alegri ka vendosur: numri 19 udhëton me ekipin, por qëndron jashtë. Imazhet e Bonuçit të ulur në një stol në tribunë krah Nedvedit, bënë xhiron e botës. Fraktura është e pashërueshme dhe, pas finales së humbur në Champions ndaj Real Madridit, Leo vendos të kalojë te Milani: e presin Fasone e Mirabeli, që duan të ndërtojë ekipin rreth tij.


Boni Milan
Boni Milan

Sezoni me kuqezinjtë nuk është nga më të mirët. Mbrojtja e ndërtuar nga Montela nuk funksionon dhe ndonëse me Gatuzon diçka ndreqet, gjërat nuk ndryshojnë shumë. Në kampionat Milani renditet i gjashti, shumë pak krahasuar me pretendimet e fillimsezonit. Leo vendos rikthimin e bujshëm te bardhezinjtë. Në korrik konkretizohet shkëmbimi Kaldara-Bonuçi. Në sezonin e tij të fundit me Juventusin, Leo fitoi titullin, por dështoi sërish në Champions. Tani vjen propozimi nga PSG, një propozim që e intrigon. Leonardo, ai tjetri, kërkon ta sjellë posshtë Tur Eifelit: historia e zhurmshme mes Bonuçit dhe Juventusit, mund të pasurohet me një tjetër lamtumirë, ose me një mirupafshim… PSG e do, Juventusi është gati të dëgjojë ofertën dhe pretendon atë të duhurën.

(Balkanweb)

Etiketa: