Parlamenti Evropian ka zgjedhur presidentin e ri të saj, italianin David-Maria Sassoli. Ai arriti të zgjidhej në raundin e dytë të votimit me 345 vota pro, duke marrë pëlqimin e shumicës absolute të eurodeputetëve në Strasburg. Socialisti 63 vjeçar, një ish-gazetar nga Firence, ka qenë deputet në Parlamentin Evropian, për një dekadë. Ai do ta zëvendësojë, Antonio Tajanin, si president i Parlamentit Evropian.

“Duhet të forcojmë kapacitetin për të luajtur një rol drejtues në demokraci. Nuk duam të shohim njerëz në kërkim të Evropës sa herë ka emergjenca. Ky është një union jo perfekt që ka nevojë të reformohet”

Në fjalën e tij pas votimit, Sassoli foli për një union jo perfekt që ka nevojë për reformë, mbi të gjitha sa i përket cështjes së azilkërkuesve. Ai u ndal edhe tek dalja e britanisë nga BE, një proces të cilin e cilësoi të dhimbshëm. Pas disa ditësh negociata intensive, krerët e BE-së, më 2 korrik, emëruan udhëheqësit e rinj të institucioneve kryesore të BE-së. Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen është propozuar të zëvendësojë Jean-Claude Juncker, si presidente e Komisionit Evropian dhe nëse ajo zgjidhet, do të jetë gruaja e parë që do të drejtojë Komisionin Evropian.

Ndërkohë, shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde u propozua për të marrë drejtimin e Bankës Qëndrore Evropiane duke qenë edhe kjo gruaja e parë në këtë pozicion. Kryeministri belg, Charles Michel është popozuar të zëvendësojë presidentin e Këshillit Evropian Donald Tusk, ndërsa ministri i Jashtëm i Spanjës, Josep Borrell u propozua si Përfaqësues i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, duke zëvendësuar në këtë post Federica Mogherinin. Ndërkohë, nominimet duhet të konfirmohen nga Parlamenti Europian.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb