NGA: FATMIRA NIKOLLI*
Gjerak Karaiskaj (specialist i monumenteve), Frederik Stamati (restaurator), Moikom Zeqo (studiues e specialist i trashëgimisë) dhe Arbër Kadia (ish-drejtor i Trashëgimisë) vijnë në një forum në “Gazeta Shqiptare”, sa i takon fasadës së ish-stadiumit “Qemal Stafa”. Si është parë çmontimi i objektit monument kulture, a quhet ruajtje e monumentit dhe kompleksit monumental, çfarë do të thotë kjo për trashëgiminë kulturore, a kishin/kanë vlerë basorelievet – kanë qenë pak a shumë pyetjet që u janë bërë specialistëve. Numri i të pyeturve ka qenë shumë i madh, por shumica: ish-drejtorë, arkitektë, specialistë, emra të njohur që kanë mbajtur pozita me rëndësi për trashëgiminë kanë refuzuar të flasin publikisht. Nga sa më sipër, specialistët që iu përgjigjën pozitivisht ftesës së “GSH”, kanë dhënë mendime të ndryshme në mbrojtje ose jo të fasadës, apo elementëve të saj. Më poshtë mendimet e specialistëve.

Gjerak Karaiskaj: Fasada të mos jetë brenda, basorelievet pa vlerë
Problemi shikohet a do ndërtohet apo nuk do ndërtohet stadiumi i ri? Nga stadiumi i vjetër që është monument kulture, ruhet vetëm një nga fasadat, ajo kryesore. Ndërsa e gjithë pjesa tjetër është rindërtuar. Meqë një stadium i ri duhej ndërtuar për Tiranën, mënyra më e mirë është që të paktën fasada të ruhet. Me sa kemi marrë vesh, fasada është ruajtur dhe do rikompozohet te stadiumi i ri. Pjesa tjetër do ndërtohet në mënyrë të tillë që të jetë neutrale, të mos e dëmtojë këtë pamje të fasadës. Për mendimin tim, fasada e ruajtur, duhet të jetë jashtë stadiumit, jo brenda. Sa për basorelievet, janë dy pjesë pa vlerë të realizmit socialist, si shumë të tjera që u bëhet reklamë nga mediat e “pavarura”. Në përgjithësi, dy basorelievet dhe e gjitha kjo nuk kanë asnjë vlerë, krahasuar me grabitjen e shkatërrimin e hotel “Dajtit”, për të cilin nuk ndihet asnjë njeri.

Frederik Stamati: Më shumë kujdes për çmontimin, fasada nuk jeton gjatë
Fasada ishte një konstruksion që nuk mund të shkonte gjatë. Kishte edhe 25 vite jetë. Si do të inkorporohet ajo në stadiumin e ri me 100 vite jetë? Unë nuk e di se si do të lidhet fasada me stadiumin e ri, për arsye të vetëdekompozimit të betonit. Basorelievet duhet të ishin hequr me kujdes, jo ashtu si janë parë në fotografi, ato që shihen në fotografi nuk janë normale. Kur hiqen relievet, tregohet një kujdes i jashtëzakonshëm që të mos ketë asnjë gërvishtje, asnjë plasaritje. Basorelievet nuk kanë qenë të periudhës kur është ndërtuar stadiumi, ato janë shtuar më mbrapa.

Moikom Zeqo: Stadiumi jashtë Tirane, basorelievet kanë vlerën e kohës
Praktika e tillë që bëhet çmontimi dhe në bazë të numrave rimontohen fragmentet e një fasade, është praktikë e njohur në restaurim. Kështu që mendoj se është e përdorshme edhe në Shqipëri një praktikë e tillë. Fjala vjen, një praktikë e tillë është përdorur në Egjipt për monumente me vlera më të mëdha se stadiumi, kur do bëhej një digë e Nilit.

A duhej ruajtur stadiumi siç ishte? Asnjë lloj arsyetimi nuk e justifikon faktin e zhdukjes së stadiumit të dikurshëm për të ngritur një të ri. Por, kjo është tashmë një fazë e vendosur, e pariparueshme dhe e panegociueshme. Do të ishte shumë herë më mirë që stadiumi i ri të ndërtohej në periferi dhe kjo do ishte zgjidhje e mrekullueshme urbanistike. Ky është gabim historik që lidhet me urbanistikën moderne të Tiranës. Tashmë nuk ka fuqi askush të ndryshojë gjë dhe duhet ta pranojmë faktin e ngritjes, faktin e ndërtimit të stadiumit të ri mbi të vjetrin. Pyesni për basorelievet – mirë do të ishte të ruheshin dhe të viheshin tek i riu. Nuk e kuptoj pse nuk do vihen edhe ata. Sa i takon deklaratës, po ju them se ato nuk janë të shëmtuara dhe pasqyrojnë një kohë të caktuar dhe pikërisht për këtë (se pasqyrojnë atë kohë) ia vlen të ruhen. Po të ishte për të shkatërruar veprat e realizmit socialist, le të shkatërrohen edhe ato që ruhen në Galerinë Kombëtare të Arteve bashkë me fasadën e Kryeministrisë. Ky mendim është një nonsens historik dhe estetik. Nëse do ruhet një pjesë e murit, do të kish kuptim edhe ruajtja e basorelieve.

Arbër Kadia: ‘Davidi kundra Goliatit’, trashëgimia e interesat e ndërtimit
Ligji ka ardhur si nevojë për të rregulluar marrëdhëniet sipas interesave të grupimeve të ndryshme sociale. Hapi i parë që ka ndërmarrë kjo qeveri është te Kryeministria, ku në fasadën monument kulture u vendos një instalacion i Parrenos pikërisht në fasadë, për të cilën ligji thotë se nuk preket. Nga ana tjetër, në qendrën historike të Tiranës aq modeste sa është, është kompleksi, sheshi ‘Italia’, ku fasada duhej ruajtur dhe duhej të ishte në anën e jashtme të stadiumit, sepse nëse futet brenda, nuk është më fasadë, e humbet vlerën e saj. E treta, përqasjen për zhvillimin modern e kemi parë te Tyrbja e Kapllan Pashës. Është i vetmi elementi i ngelur nga kompleksi i parë që i dha statusin qytet Tiranës. Që do të thotë, fatkeqësisht, Tyrbja e Kapllan Pashës (trashëgimia) është si Davidi para Goliatit, ku tyrbja/trashëgimia është Davidi përballë Goliathit/interesave të ndërtimit. Fatkeqësisht në këtë betejë Davidi nuk fiton dot.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb