TIRANE- Seanca plenare e së enjtes që lamë pas u shoqërua me debate mes mazhorancës dhe opozitës për të mundësuar debat në Kuvend për reformën zgjedhore.

Javën e kaluar deputetët e mazhorancës u shprehën kundër debatit në Kuvend, gjë që shkaktoi edhe përplasjen me deputetët e PD-së, të cilët bllokuan foltoren e Kuvendit. Për shkak të kësaj situate, seanca u ndërpre disa herë, duke bërë të pamundur zhvillimin e saj.

Por me sa duket, po këtë qëndrim, Partia Socialiste do të mbajë edhe në seancën plenare të radhës.

Në mbledhjen e sotme, grupi parlamentar socialist ka vendosur që të mos lejojë debat përsa i përket projektvendimit për ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore të enjten në seancë plenare.

Pas përfundimit të mbledhjes që ka zgjatur dy orë, gazetarja Marsela Karapanço thotë se kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla dhe bashkëkryetari socialist i komisionit të reformës zgjedhore, Bledi Çuçi, thanë se nuk është nevoja për debat për Reformën Zgjedhore por meqë opozita e ka kërkuar opozita do bëhet debat konstruktiv.

Kujtojmë se për shkak të debatit për reformën zgjedhore të enjten e kaluar, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruci përjashtoi nga seanca liderin e opozitës, Lulzim Basha.

Në orën 11:00 pritet të ketë dhe një mbledhje të qeverisë për zyrtarizimin e zv/ministrave.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb