Deputetët Sali Berisha, Dhurata Çupi, Flamur Noka dhe Saimir Korreshi propozuan një amendament në buxhetin e shtetit për vendosjen e minimumit jetik. Në Kuvend, deputeti demokrat Flamur Noka, kërkoi vendoset minimumi jetik 200 euro. Sipas tij, ky do të ishte një mekanizëm i rëndësishëm ndihme për familjet në pamundësi ekonomike.

“Në vlerësimin tonë si PD, minimumi jetik megjithëse i përcaktuar si terminologji në legjislacionin tonë është i padefinuar. Jemi i vetmi vend që nuk e përcaktojmë minimumin jetik. Ju aq shumë i doni të varfrit, sa i shtoni ata. Minimumi jetik, normë ligjore. Vjen si aplikim në çdo vend të botës i një metodologjie. Diskriminon shtresat e varfra që ‘sulltan Surreli’ thotë se do i ketë në konsideratë. Sipas Bankës Botërore, kufiri minimal i varfërisë është 6.7 dollarë. Shqipëria e ka 0.6 dollarë. A e kuptoni çfarë diskriminimi i bëhet kësaj shtrese?”, tha Noka.

Ndërkohë në përgjigje, ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu u shpreh se propozimi nuk është aspak serioz dhe se i ka kaluar vakti.

“Pikë së pari doja të thosha se është një propozim aspak serioz, që i ka kaluar koha me vakt dhe nuk mund të vendoset absolutisht apriori i pa studiuar dhe i pa vlerësuar. Mjafton tu them se në 2013 ju e latë papunësinë në vlerën 16%, ndërkohë ne e adresuam. Politikat e mirëqenies sociale vazhdojnë të jenë të përqendruara në rritjen e punësim, rritjen e pagave dhe rritjen e pagës minimale”, tha Koçiu.

Me votat e mazhorancës, Kuvendi rrëzoi amendamentin e propozuar nga demokratët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb