TIRANË- Në orën 14:10 Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste ka mbyllur punimet. Në dalje nga kjo Asamble, Ben Blushi ka dhënë një deklaratë për mediat ku sërish ka theksuar qëndrimin e tij për zgjedhjet për kryetar në PS. Blushi ka thënë se mandati i kryetarit ka mbaruar në vitin 2013 dhe se nuk duhet të vendosë Kongresi për mandatin e tij.

“Nuk ishte surprizë, që në mënyrë imponuese kjo mbledhje mori një vendim që s’mund ta merrte, që të gjithë anëtarët në çdo forum, në rrethe e gjithandej, kjo asamble, kongresi delegatët të zgjidhen me përjashtim të një socialisti që është kryetari, pra gjithkush zgjidhet, kryetari jo, është arbitrare, kryetari mori mandat të përhershëm, shpresoj të mos jetë i përjetshëm”, tha ai.

Blushi tha më tej se kjo “Është për të qeshur e qarë”. “PS është partia më unike në planet që zgjedh cdo njeri, përvec kryetarit, ju jeni qytetarë të vendit, si mund të pranoni që partia që qeveria nuk është demokratike. Do ishte mirë që kjo mbledhje të mos devijonte. Nuk mund të mblidhet parlamenti i Shqipërisë dhe të vendosë se nuk do ketë mbledhje njëherë në 4 vjet. Zgjedhjet për kryetar të PS-së duhet të ishin të mirëkuptueshme”,­ tha Blushi, duke iu drejtuar gazetarëve.

Pyetjes nëse i trembet një përjashtimi të mundshëm nga PS, Blushi i është përgjigjur sërish me pyetje: “A ka parti që të përjashton sepse kërkon zgjedhje?”, duke shtuar se së shpejti do të sqarojë nëse do kandidojë për kryetar të PS-së.

Në prononcimin e tij, Blushi tha se në Asamble duhet të ishte folur edhe për ekonominë duke patur parasysh gjendjen në vend. “Kjo asamble duhet të kishte bërë një debat për ekonominë. Papunësia është rritur, kërkesat për azil janë rritur. Kjo asamble do kishte arsye përr të folur për këto tema”, tha ai.

DEBATET NË ASAMBLE

Debate mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetit Ben Blushi, nuk kanë munguar në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste. Anëtar i kryesisë së PS, Blushi ka folur për zgjedhjen e kryetarit të partisë dhe ka pyetur se pse nuk është në program rizgjedhja e kryetarit. Sipas burimeve brenda Asamblesë, Blushi ka kujtuar se statuti parashikon zgjedhjen një herë në 4 vjet të kryetarit të partisë, gjë që nuk është bërë.

Por kryesocialisti Rama ka kundërshtuar deputetin Blushi. Ai i është kundërpërgjigjur Blushit duke i thënë se ka braktisur betejën kur të tjerët luftonin për vota. “Ke braktisur betejën kur të tjerët luftonin për vota. Të tjerët luftonin për vota, ti sulmoje PS-në”, mësohet t’i ketë thënë Rama, Blushit. Ndërkohë Asambleja e PS-së ka vendosur se mandatin e kryetarit e vendos Kongresi, i cili do të mblidhet në janar 2016.

Kryeministri Rama që në nisje të Asamblesë foli për zgjedhje në të gjitha nivelet në PS, por nuk saktësoi nëse do ketë zgjedhje për kryetar, çka ka sjellë edhe reagimin e Blushit.

Ky i fundit shpesh herë ka ngritur zërin për zgjedhjen e kryetarit të ri, madje duke i thënë Ramës se ka marrë peng partinë, pasi nuk bën zgjedhje, ndërkohë që Rama e ka argumentuar këtë me fitore të zgjedhjeve, pas të cilave nuk ka pse të ketë rivotim për kryetarin.

Blushi: Pse nuk është në program rizgjedhja e kryetarit

Rama: Ke braktisur betejën kur të tjerët luftonin për vota. Të tjerët luftonin për vota, ti sulmoje PS-në

Blushi: Vetëm pronarët dhe monarkët nuk zgjidhen. Ti je administrator, ti duhet të zgjidhesh sepse dhe Merkel u zgjodh në partinë e vet. Kjo është Partia me unike në planet që nuk zgjedh kryetarin.

Blushi: Do zgjidhet gjithë partia nga organizata më e thjeshtë deri te kryesia e asamblesë me përjashtim teë kryetarit

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: