TIRANE- Çështja e CEZ është diskutuar edhe në Komisionin Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese ditën e sotme, ndërsa ka sjellë debate mes të djathtëve dhe të majtëve. Deputeti Genc Ruli ka kërkuar shpjegime nga Ministri i Industrisë, Damian Gjiknuri, pas deklaratave që Kreu i Sekretariatit të Komunitetit Evropian të Energjisë, Janez Kopac bëri në kuvend, duke folur për veton e Çekisë.

Ruli ka kërkuar të shpjegohet se “përse erdhi Kopac në Shqipëri? A ishin rastësore ardhja dhe deklaratat e tij? Përse e ambasada çeke përgënjeshtroi Kopacin?”.

Por pas këtyre pyetjeve ka reaguar deputeti Shalsi i cili ka kërkuar që çështja të mos fokusohet tek personi, por tek ajo që ai përfaqëson, duke u shprehur se “Kopac është në sekretariatin e komunitetit të energjisë”. Sipas Shalsit ai ka “kontribuar në përmirësimin e ligjeve për energjinë”.

Në përgjigje, ministri Gjiknuri tha se kjo është një çështje e konsumuar, dhe sipas tij “s’kemi përse t’i rikthehemi”. “Çështja është kthyer në politike nga opozita”, tha Gjiknuri.

Më tej, ministri i Energjisë dhe Industrisë prezantoi projektligjin për eficencën e energjisë, duke u shprehur se projektet synojnë përmirësimin e eficencës energjetike.

“Projekti pilot për energjinë do të zbatohet në qytetin “Studenti”, e më pas do të vijojmë me godinat e institucioneve publike. Po kërkojmë financues për eficencën energjetike”, tha ministri Gjiknuri.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb