TIRANE– Kuvendi rrëzoi të enjten në mbrëmje dy dekrete të Presidentit të Republikës që kthejnë për rishqyrtim në parlament dy ligjet e miratuara në fund të sesionit të kaluar, respektivisht ligjin “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë” dhe ligjin “Për turizmin”.

Pas një seance maratonë që zgjati rreth 11 orë Kuvendi rrëzoi me 71 vota kundër, 18 vota pro dhe 1 abstenim dekretin “Për arsimin e lartë“ dhe me 72 vota kunder, 1 abstenim dhe 14 vota pro rrëzoi dekretin tjetër, atë të ligjit “Për turizmin”.

Gjithashtu, seanca e sotme miratoi me 74 vota pro, 1 vote kundër dhe 10 abstenime pr/ligjin “Për shërbimet dhe produktet biocide në shëndetin publik”; me 82 vota u miratua ratifikimi i marrëveshjes me BE-ne “Për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin “Evropa për qytetarët”, ndërsa ratifikimi i marrëveshjes mes palës shqiptare dhe KFË Frankfurt AM MAIN, për projektin “Ujësjellësi Rural III” u miratua me 84 vota .

Ne fund te seancës deputetet miratuan me 73 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim projektvendimin për shqyrtimin me procedure te përshpejtuar nga Kuvendi te disa shtesave ne ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, te ndryshuar.

Seanca e sotme u shoqërua me debate të forta mes palëve, ku në qendër ishte çështja e dekriminalizimit të parlamentit.

DEBATET PER DEKRETIN PER LIGJIN E ARSIMIT TE LARTE

Dekreti i Presidentit për “Arsimin e Lartë”, i cili ka hapur debate në seancën e sotme parlamanetare.

Në emër të opozitës, deputeti i PD-së, Luçiano Boçi ka kritikuar dhe ka kundërshtuar këtë ligj duke argumentar se shtetit do të marrë nën kontroll të gjithë sistemin arsimor.
“Me këtë ligj, arsimi i lartë vendoset nën kontrollin e ekzekutivit”, ka thënë Boçi, i cili më tej ka kritikuar edhe vendosjen e tarifave dhe mospërcaktimin e përqindjes së GDP-së për buxhetin e arsimit.

Ndërsa deputeti i PS, Musa Ulqini sqaroi se, tarifat e vendosura në sistemin e arsimit të lartë ekzistojnë prej vitesh dhe se përqindja e GDP-së për buxhetin e arsimit nuk mund të vendoset.

NIKOLLA: VOTONI KUNDËR DEKRETIT TË PRESIDENTIT, LIGJI PËR ARSIMIN E LARTË I MBËSHTETUR NGA BRUKSELI

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla u ka kërkuar deputetëve të votojnë kundër dekretit të Presidentit për Ligjin e Arsimit të Lartë. Nikolla tha se ky ligj është më i konsultuari me grupet e interesi dhe i mbështetur nga ekspertiza e huaj dhe Brukseli zyrtar.

“Që në paragrafin e parë të arsyetimit të Presi8dnetit duket qartë që nuk bëhet një dallim i qartë i komunikatave të përgjegjësve për arsimin evropian. Sipas dekretit thuhet se ligji “duket sikur nuk garanton autonominë e institucioneve të arsimit të lartë”. Ligji bën ekzaktësisht ruajtjen e autonomisë, madje zgjerimin e saj. Ligji mundëson një autonomi më të zgjeruar në karrierën e titujve akademikë. Vetëm një agjenci krijohet të tjerat riorganizohen. Edhe në këtë proces ne po ndërtojmë një partneritet të rëndësishëm. Ju ftoj të votoni rrëzimin e dekretit të Presidentit për të mbrojtur ligjin e mbështetur nga maxhoranca e grupeve të interesit që janë konsultuar si kurrë më parë. Ka gjetur mbështetjen edhe nga ekspertiza e huaj dhe Brukseli zyrtar, duke e cilësuar një ligj në avangardë. Komisioni Europian mund të tolerojë një ligj që shkon në kundërshtim me lirinë akademike apo një ligj që nuk është në koherencë me gjithë konventat evropiane”, tha Nikolla.

TOPALLI: TË KTHEHET MBRAPSHT LIGJI PËR ARSIMIN, RRITJA E TARIFAVE DËMTON STUDENTËT
Deputetja e Partisë Demokratike ka kërkuar që të kthehet mbrapsht ligji për arsimin e lartë, pasi rritja e tarifave është papërballueshme nga studentët që s’kanë shumë të ardhura.

“Studentëve pa të ardhura apo që s’i kanë prindërit me pozitë, iu mbyllen edhe dyert e shkollës. Këto tarifa janë të pamundura për studentë. Rritja e tyre dëmton studentët që vijnë nga familje me pak të ardhura. Ndërsa shteti tregon indiferencë totale ndaj këtij fakti”, tha deputetja Topalli.

Rendi i ditës i seancës së sotme parashikon dhe diskutimin e pr/ligjit “Për shërbimet dhe produktet biocide në shëndetin publik”, si dhe ratifikimin e dy marrëveshjeve, ajo “Për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin “Evropa për qytetarët”, si dhe “Marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe KFW Frankfurt AM MAIN, “KFW”, për shumën 24 milion euro për projektin “Ujësjellësi Rural III”.

(m.k/el.sp/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: