TIRANË- Deputetët do të kenë nesër një axhendë të ngjeshur në Kuvend, ku pritet të merren disa vendime të rëndësishme në kuadër të zbatimit të reformës në drejtësi por edhe për ndryshimet e rregullores.

Kështu “BalkanWeb” mëson se në orën 10:00 Këshilli i Mandateve dhe Rregullores do të mblidhet për të diskutuar propozimet e PS-së për ndryshmet në rregulloren e Kuvendit në rastin e arrestimit të deputetëve për të reflektuar ndryshimet kushtetuese të miratuara në paketën e reformës në drejtësi.

Më pas në orën 12:00 në Kryesinë e Kuvendit do të mblidhet Këshilli i Legjislacionet për të shqyrtuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. “BalkanWeb” ka siguruar shkresën që sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit i ka dërguar deputetëve të Këshillit për Legjislacionin për këtë mbledhje.

“Kryetari i Kuvendit, bazuar në nenin 14, pika 3 të Rregullores së Kuvendit, me shkresën nr. 171 prot., datë 17.1.2018, ka kërkuar mbledhjen e Këshillit për Legjislacionin për të diskutuar sipas përcaktimeve në Rregullore, (neni 87), zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për efektet në legjislacion”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë në orën 13:00 pritet të mblidhet nënkomisioni ad hoc për KLP dhe KLGJ për konstituimin, miratimin e kalendarit të punimeve të nënkomisionit “Për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë” si dhe çështje të tjera për diskutim.

Kreu i nënkomisionit Ulsi Manja i ka bërë thirrje deputetëve të opozitës të marrin pjesë në mbledhje si dhe në zgjedhjen e anëtarëve nga shoqëria civile për KLGJ e KLP.

[embeddoc url=”https://www.balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2018/01/Mbi-zbatimin-e-vendimit-te-Gjykates-Kushtetuese-nr_-78-date-12_12.pdf”]

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: