TIRANË

Me sa duket treshja e gjyqtarëve që vendosën për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri nuk kanë qenë në një mendje për dënimin e tij. Këtë gjë e ka zbuluar sot gazetarja Klodiana Lala, e cila raportoi ‘live’ në News24 pasi Tahiri mbylli komunikimin me mediat.


Lala tha se gjyqtarët kanë qenë të ndarë 2 me 1. Kujtojmë se që prej orës 12:30 gjyqtarët Ardit Mustafai, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka ishin mbyllur në dhomën e këshillimit, ndërsa dolën prej andej pas 10 orësh duke shpallur fajtor ish-ministrin vetëm për shpërdorim detyre.


“Burimet thonë që gjyqtarët janë ndarë 2 me 1. Njëri prej tre gjyqtarëve ka qenë i mendimit se Saimir Tahiri duhej të dënohej si favorizues i grupit kriminal të drejtuar nga Moisi Habilaj. Dy të tjerët kanë qenë të mendimit se ai ka shpërdoruar detyrën dhe se grupi kriminal Habilaj ka arritur të ushtrojë aktivitetin kriminal përnme”, tha gazetarja, duke iu referuar burimeve nga Prokuroria për Krime të Rënda.


Gjithsesi ajo deklaroi se zyrtarisht, gjyqtarët kanë një afat 5-ditor për ta zbardhur këtë vendim dhe për tua vënë në dispozicion palëve. Po kështu në vendimin e lexuar nga gjyqtari Mustafai dy net më parë, binin në sy dy elemntë kryesorë.

“Gjykata konfirmonte për herë të parë në një dokument zyrtar që kanabizimi i vendit në vitin 2016 ka qenë në problem madhor dhe një fenomen mjaft shqetësues për shoqërinë shqiptare. Duhet të kemi parasysh që aso kohe ministrinë e Brendshme e drejtonte Saimir Tahiri dhe së dyti ndryshe nga sa pretendon ish-ministri i Brendshëm se nuk ka pasur asnjë kontakt me pjesëtarët e grupit kriminal Habilaj. Në fakt treshja e gjyqtarëve kanë një qëndrim ndryshe nga kjo. Ajo thotë se nga të gjitha hetimet e kryera dhe nga provat që prokuroria vuri në dispozicion rezulton se ka pasur marrëdhënie të qëndrueshme mes Saimir Tahirit dhe pjesëtarëve të grupit Habilaj dhe konkretisht personit siç e quan gjykata shtetasit Moisi Habilaj që është duke u gjykuar në një procedim tjetër të bashkëlidhur. Duhet të kemi parasysh që procesi ku është i përfshirë ish-ministri i Brendshëm është i ndarë në disa procese të veçanta”, tha Lala.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb