TIRANE – Edhe ditën e sotme Komisioni i Ligjeve është shoqëruar me debate të shumta mes anëtarëve të mazhorancës dhe opozitës.

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, prezantoi në komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, raportin vjetor të veprimtarisë përgjatë vitit 2017 të institucionit të Avokatit të Popullit por kohën më të madhe e kanë zënë debatet mes opozitës dhe maxhorancës. Deputetët e PD-së kërkuan dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Përplasje pati mes deputetit të PD, Enkelejd Alibeaj dhe kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, raporton për BalkanWeb”, gazetarja Elda Menga.

Pjesë nga debati
Alibeaj: Shpëtoni lëkurën tuaj politike nëse nuk keni gisht në këtë histori. Mendoni për socialistët që kur ju votuan nuk menduan se ishit me kapot e drogës.

Manja: Mos jua qaj hallin socialistëve sepse është ky krahu këtej për ata (tregon anëtarët e PS)

Alibeaj: Xhafaj emëroi Prokurorin e Përgjithshëm. Avokati i popullit të mbajë përgjegjësinë e vet.


Kreu i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja i ka kërkuar Avokates së Popullit Erinda Ballanca të vazhdojë raportimin por ajo nuk ka mundur të vijojë për shkak të debateve.

Ulsi Manja-avokates së Popullit: Do ta mbyll këtu fjalën dhe nuk do ta kesh më të drejtën për të folur në këtë komision.
Ballanca: Nuk është problemi im.
Manja: Jo ky është problemi jot.

Debati nga deputetët e PD ka vijuar sërish, ku Klevis Balliu ka pyetur Manjën se si është e mundur që Fatmir Xhafaj është ende ministër.

Klevis Balliu: A është normale që policët të përjashtohen kur nuk e kalojnë vettingun, ndërkohë që ministri i Brendshëm nuk e kalon vettingun dhe rri prapë ministër?
Ulsi Manja: A ka mundësi…5 minuta pushim (çohet në këmbë)
Klevis Balliu: Fshihuni sa të doni, prapë këtu jemi ne. Në datë 26 duhet me u përball.

Komisioni është ndërprerë pasi Manja ka kërkuar 5 minuta pushim, ndërkohë opozita është larguar nga mbledhja.

 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb