TIRANË

Ministri i Bujqësisë Bledi Çuçi ka komentuar në News24 përgjimet e dala në gazetën gjermane “Bild” dhe ndikimin e tyre në Shqipëri apo për të ardhmen e vendit.

Por gjatë bisedës në studio, ministri ka debatuar me gazetaren Ola Bruko pikërisht për këto përgjime, duke i zhbërë bisedat mes Ilir Avdylaj dhe eksponentëve të PS-së në Durrës e Shijak.

Duke iu referuar bisedës ku Avdulaj i kërkon drejtorit të Ujësjellësit të ndajë ata që janë me PD, ministri Çuçi tha se këtë e bën çdo politikan.

NDIQNI BISEDËN
Ola Bruko: Opozita thotë që ju erdhët në pushtet me blerje votash, ju asokohe kritikuat opozitën edhe lajmet që u publikuan edhe nga Zëri i Amerikës, madje konsideruar dhe atë ‘kazan mediatik’ ndërkohë që sot po dëgjojmë se ka ndodhur një sigurim masiv votash…
Çuçi: Po ç’faktiv? Ku është faktiv?
Ola Bruko: Në Durrës pra, nga përgjimet. 6 përgjimet
Çuçi: Ku është faktiv? Ku faktohet që janë vjedhur votat. Ma thuaj një rresht.
Ola Bruko: A është bisedë ajo, nuk besoni në autenticitetin e saj.
Çuçi: Po në bisedë ku faktohet, ma thuhet një lidhje shkakësore…
Ola Bruko: Do sigurohet një fitore dhjetë me zero thuhet aty…
Çuçi: Po, po. Po, çfarë ka aty. Ëë, mos e ke për këtë përgjimin e 200 mijë eurove që ia dhanë një ditë përpara.
Ola Bruko: Jo e kam për 6 përgjimet e fundit që janë publikuar një ditë përpara nga Bild zoti Çuçi.
Çuçi: …që i kërkoi 200 mijë euro para votimeve, kjo po, kjo është për t’u hetuar ku japin 200 mijë euro.
Ola Bruko: Ndërsa kjo jo, dosja 339.
Çuçi: Nuk ka deri më sot, ndoshta ka dhe po pati të dalin para drejtësisë. Prandaj janë organet e drejtësisë, kush kryen një vepër penale le të shkojë në burg, qoftë kushdo, qoftë ministër, qoftë kryetar.
Ola Bruko: Pra ju nuk ju shqetëson fakti që ky Astrit Avdylaj në atë kohë nuk paska qenë në hetim.
Çuçi: Edhe njëherë meqë ju keni bindjen që aty ka fakte. Nuk ka asnjë fakt aty.
Ola Bruko: Nuk kam asnjë bindje, unë dëgjoj siç dëgjoj unë, dëgjon gjithë populli apo jo.
Çuçi: Ti dëgjon, i thotë një njeri në fushatë elektorale do të siguroj unë 10 me 0.
Ola Bruko: I thotë më jep listën e njerëzve që janë me PS e PD, e t’i shkundim çik këta që s’janë me PS dhe t’i heqim nga puna po nuk votuan për ne. Thuhen dhe këto aty.
Çuçi: Ku i thotë, si, si i thotë?
Ola Bruko: Në përgjime, kjo lista që për ju ishte normale. Sa njerëz ka me PD e këta me PD t’i shkundim çik në qoftë se nuk votojnë për ne, të shohim si do shkojë puna e tyre pastaj.
Çuçi: Mirë pra, t’i shkundim çfarë do me thënë. Nuk e di se këtë nuk e kam.
Ola Bruko: Prandaj ju pyeta a e kishit dëgjuar dhe lexuar me vëmendje dhe më thatë që nuk ishte e nevojshme…
Çuçi: Edhe njëherë çdo politikan, pyet edhe të PD-së, gjëja e parë që bën merr listën e qendrës së votimit dhe fillon bën një projeksion dhe thotë tek kjo familja këta janë të majtë, votojnë për PS, tek kjo janë të djathtë dhe votojnë për PD dhe i ndajnë PS-PD dhe krijon një strategji të fushatës në bazë të preferencave që ka marrë nga terreni.
Është gjëja më normale që bën çdo kandidat për deputet, çdo kandidat për kryetar bashkie. Është gjëja më normale. Të siguroj për këtë. Mos ki asnjë dyshim për këtë, tek kjo pjesa.
Ola Bruko: Për këtë nuk kam.
Çuçi: Ndërsa në qoftë se thotë ai ka votuar PD dhe ta heqim nga puna, atëherë po kjo është shkelje. Nëse thuhet se do i çoj 50 mijë lekë atij për të blerë vota, pa diskutim është çështje për t’u ndjekur penalisht dhe për të shkuar para përgjegjësisë kushdo qoftë. Por në përgjim nuk del një gjë e tillë. nuk del qoftë dhe ky Astriti të ketë marrë ndonjë favor edhe për vënie në dispozicion të influencave të tij që ai ka në elektorat, të ketë marrë ndonjë favor të drejtpërdrejt, ndonjë leje drejtimi a ku di unë. Pra nuk del në përgjim se po të dalë jam me ty dhe do ngre zërin dhe unë që të shkojë para drejtësisë.
Meqë më përmende për çështjen e legjitimitetit të zgjedhjeve, ka një organ që i ka certifikuar ata, dy bile, një vendor dhe një ndërkombëtar. Vendor është KQZ që e ka certifikuar me 0 kundër vendimin për zgjedhjet e 2017 dhe të gjithë komisionerët 1005 në të gjithë republikën dhe OSBE që ka thënë që zgjedhjet janë të rregullta. Madje OSBE-ja, pra kur flasim lexim me vëmendje, lexoni me vëmendje raportin e OSBE-së.
Ola Bruko: E kam lexuar patjetër.
Çuçi: E keni lexuar kur flitet për shitblerjen e votave?
Ola Bruko: Nuk kishin dalë këto fakte, ju lutem!
Çuçi: Kanë dalë faktet, e sheh se nuk e ke lexuar.
Ola Bruko: E kam lexuar.
Çuçi: E ke lexuar paragrafin që flet për blerjen e votave, e ke lexuar apo jo.
Ola Bruko: Po, po e kam lexuar.
Çuçi: Thotë, të vetmet raste që janë denoncuar për shitblerjen e votave janë dy kandidatë të LSI-së.
Ola Bruko: Nuk kishin dalë faktet e dosjes 339. Megjithatë, nga biseda me ju po kuptoj që ju zoti Çuçi nuk është se i keni kushtuar shumë vëmendje përmbajtjes së këtyre përgjimeve.
Çuçi: Jo, jo i kam kushtuar unë se nuk më binde për të kundërtën.

Ola Bruko: Atëherë më lejoni t’ju kujtoj se në një tjetër përgjim që zhvillohet mes Astrit Avdylaj dhe kryetarit të PS-së së Shijakut, i kërkohet të anulohet një gjobë prej 500 milionë lekësh që është vënë në një fermë të Sukthit. Po kjo është normale?
Çuçi: Që t’ia kërkojë. Nuk e di a është normale apo nuk është, por është krejtësisht anormale nëse ai e bën në bazë të kësaj kërkese.
Ola Bruko: Ndërhyrjet pra, vihet re që ka ndërhyrje. Pra, a janë normale këto ndërhyrje, është pyetja ime?
Çuçi: Unë marr 100 telefonata në ditë për ndërhyrje. Unë jam politikan, unë jetoj në terren dhe marr 100 telefonata. Më vuri gjobë Inspektorati i Duhanit, më vuri gjobë filani i bujqësisë, më vuri gjobë ky. Por nuk është çështja këtu së sa marr, se unë për këtë punë jam që të marr. Problemi është si sillem unë kur jam në institucion. Në qoftë se unë shkel ligjin vetëm se një njeri që do më japë 10 vota më tepër, më kërkon një gjë të jashtëligjshme dhe unë do t’ia bëj atëherë unë jam në shkelje të ligjit. Por që më kërkojnë, më kërkojnë 100 veta në ditë. 100 favore në ditë më kërkojnë të tilla për të gjitha llojet e halleve.
Ola Bruko: Dhe nëse ju ndërhyni është shkelje?
Çuçi: Absolutisht është shkelje. Nëse ai ka të drejtë është zgjidhje në të drejtën e tij. Pra dhe këtu duhet ndarë dhe duhet parë.
Ola Bruko: A keni besim se do hetohet plotësisht dosja 339 dhe ai trembeni publikimeve të reja?
Në qoftë se humb besimin tek organet e drejtësisë është kot që merrem me politikë një dhe që jam ministër dy. Besimi tek institucioni është parakusht në etikën time.
Sinqerisht nuk i trembem, se po të ketë një gjë të re që provohet do shkojë në burg kushdo qoftë ai që e ka shkelur.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb