Gazetari Denis Dyrnjaja u shpreh në emisionin “Open” në Neës24 se opozita ka organizuar protesta, madje edhe të mëdha, por nuk mund të vendosë nën presion apo të detyrojë Kryeministrin Edi Rama, qoftë edhe për atë që kërkon “qeverinë teknike”.

Dyrnjaja tha se strategjia e zgjedhur nga opozita nuk bind për një kohë afatgjatë.

“Sali Berisha ka krijuar kosto të larta politike me lëvizjet e tij, qoftë në rastin kur mori në mbrojtje dhe mbështeste Lulzim Bashën, qoftë edhe përsa i takon përçarjes së opozitës.

Opozita në 2021 ishte bashkë, u përça për një agjendë personale, pra Berisha shkaktoi një kosto duke përçarë demokratët. Nëse do të ishin të bashkuar nuk do të harxhoheshin kaq shumë kohë dhe energji për tu përplasur e më pas për tu bashkuar”, tha gazetari.

Ai u shpreh se opozita po përdor ato formula që nuk kanë dhënë rezultate.

“Opozitës i duhet hapja, i duhet kreativitet. Opozita nuk prodhon lajm duke mbledhur njerëzit e vet”, tha Dyrnjaja.

Ndërkohë Luçiano Boçi duke iu përgjigjur tha se opozita nuk u përça për shkak të Sali Berishës, por për shkak të Lulzim Bashës, që tentoi një bashkëqeverisje me Edi Ramën.

“Nuk do të ishim të përçarë nëse kjo mazhorancë nuk do të fuste duart në situatat që u krijuan”, tha Boçi.

Në replikë me Boçin, gazetari Dyrnjaja tha se “Gazment Bardhi nuk ka lënë akuzë pa bërë ndaj Sali Berishës dhe sot ku janë…”.

Ndërsa nënkryetari i PD-së tha se askush nuk duhet të kapet në detaje të tilla. “Ne kemi një rezolutë, kemi bërë thirrje për bashkimin jo vetëm të demokratëve, por të gjithë faktorit opozitar”, tha Boçi.

Në vijim të debatit, Dyrnjaja tha “ju besoni se me Sali Berishën vini në pushtet?”, ndërsa në kundërpërgjigje Enno Bozdo i tha “ju si e shikoni Berishën, të burgosur politike apo jo?”.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb