Zv mininistri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut Zoran Dimitrievski ka komentuar procedurën e nisur në gjykatën kushtetuese të Maqedonisë së Veriut për abrogimin e ligjit të gjuhëve.
Në një deklaratë nga Korça, ai është shprehur se nuk pritet që Kushtetuesja të marrë një vendim që cënojnë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, pasi një veprim i tillë do të dëmtonte marrëdhëniet ndëretnike dhe harmoninë shoqërore në vend
“Ky është një moment i rëndësishëm që thekson rëndësinë e ruajtjes së kulturës dhe gjuhës, si dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore. Festimi i 80 viteve të mësimdhënies së gjuhës maqedonase në Shqipëri është një dëshmi e lidhjeve kulturore të qëndrueshme dhe respektit të ndërsjellë midis dy vendeve. Njohja dhe mbështetja e të drejtave të pakicave, si mundësia për të mësuar dhe ruajtur gjuhën amtare, forcon lidhjet midis vendeve dhe nxit bashkëpunimin rajonal.
Në Maqedoninë e Veriut, çështja e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe lidhet me marrëdhëniet ndëretnike dhe të drejtat e pakicave. Shqiptarët përbëjnë një përqindje të konsiderueshme të popullsisë, dhe përdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare është një element i rëndësishëm për të garantuar sigurinë dhe barazinë e tyre. Këto klauzola, që përmendni, janë krijuar për të rregulluar përdorimin e gjuhës shqipe në kontekste specifike, si në uniformat e policisë dhe ushtrisë, në kartëmonedha, ose në raste të caktuara në gjykata.
Megjithatë, nuk pritet që Gjykata Kushtetuese të miratojë vendime që cënojnë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, pasi një veprim i tillë do të dëmtonte marrëdhëniet ndëretnike dhe harmoninë shoqërore në vend. Është e rëndësishme që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut të ndihen të sigurt dhe të respektohen për të drejtat e tyre gjuhësore. Në të njëjtën kohë, është po aq e rëndësishme që të gjithë qytetarët të vlerësojnë dhe respektojnë gjuhën maqedonase si gjuhë shtetërore dhe zyrtare. Një ekuilibër i tillë është themelor për ruajtjen e stabilitetit dhe bashkëjetesës në vend.
Sa i takon marrëveshjeve mendoj se të gjitha marrëveshjet që ekzistojnë në Maqedoninë e Veriut, si Marrëveshja e Ohrit ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve, si dhe marrëveshjet e tjera me Republikën e Greqisë dhe Republikën e Bullgarisë, duhet të vlerësohen nga të gjitha palët, në fakt, nga të gjithë pjesëmarrësit”, u shpreh ai.
Këto deklarata erdhën në aktivitetin e sotëm në universitetin e Korçës në lidhje me konferencën shkencore për 80-vjetorin e arsimit në gjuhën amtare maqedonase në Shqipëri.
(BalkanWeb)