TIRANË

Deputeti i Kuvendit, Ralf Gjoni, i pranishëm në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla në News 24 duke folur për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, hodhi akuza të forta ndaj klasë politike,  ndërsa tha se ata asnjëherë nuk kanë demonstruar vullnet  për ngritjen e një drejtësie solide. Ai tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës  kanë qenë aktorët kryesorë, të cilët kanë luajtur rol kyç që Shqipëria të arrijë krijimin e një sistem të drejtë, që në qendër të tij ka qytetarin e thjeshtë.

“Ne jemi këtu ku jemi, sepse asnjë nga palët politike dhe le t’i themi me emra as PS dhe as PD dhe as LSI dhe asnjë nga partitë e tjera që kanë qenë në Parlament  nuk kanë pasur asnjëherë vullnet që ky vend të kishte drejtësi dhe të ndërtohej shteti i së drejtës. As Rama, as Berisha , Basha e Monika jo e jo, as Meta sot.

Unë besoj që nuk kanë asnjë interes që reforma në drejtësi të përfundojë dhe të fillojë implementimi dhe ngritja e institucioneve kushtetuese, si Gjykata Kushtetuese dhe  Gjykata e Lartë dhe SPAK e BKH. Të vetmit aktorë në Shqipëri dhe këtë e dinë të gjithë shqiptarët, që kanë qenë të investuar fort, kanë qenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. ShBA-të i kanë qëndruar pranë shqiptarëve që nga shpallja e pavarësisë, gjatë luftës së Kosovës dhe kjo nëse mund ta quajmë kështu, është lufta e madhe për drejtësi”-tha ai.

Deputeti Ralf Gjoni theksoi se disa nga kandidatët që garojnë sot për vakancat në Gjykatën Kushtetuese nuk i përmbushin kriteret e kërkuara.

“Kjo është lufta për të dalë njëherë e mirë nga mendësia otomane.  Disa kandidatë për Gjykatën Kushtetuese kanë mangësi që duhen komentuar. Për mua nuk përbën problem të madh nëse zgjidhet nga një apo dy kandidatë njëherësh, duke marrë parasysh ku ndodhet drejtësia. Ajo që më shqetëson është që të qartësohet procedura e përzgjedhjeve. Është e rëndësishme që të na vijnë lista me 3 emra sepse kështu thotë ligji. Unë nuk mendoj që jemi përball një situate që kemi mundësi zgjedhje për të luajtur një rol me skanues në Kuvend se kush është më i miri”-shtoi ai.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: