Ministria e Turizmit dhe Mjedisit vijon të promovojë reformën e nisur në fushën e dhënies së lejeve mjedisore si dhe kontrollit në territor, që ka nisur me shkrirjen e inspektoriatit të mjedisit si dhe do të vazhdojë me anullimin e lejeve të tipit C. Por reforma e Ministrisë së Mjedisit bie ndesh me pritshmëritë e kryebashkiakut Erjon Veliaj që prej disa muajsh kërkon publikisht marrjen e kompetencave të inspektoriatit mjedisor dhe të drejtën për lëshimin lejeve të kategorisë C.

Kundërshtitë në distancë mes dy institucioneve kanë vijuar edhe ditën e premte ku dy titullarët kanë treguar vendosmëri në prioritetet që i kanë vënë vetes. Kështu ministri Blendi Klosi nuk ka asnjë peng për shkrirjen e inspektoriatit mjedisor dhe kalimin e kompetencave Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen e Mjedisit.

Në fjalën e mbajtur gjatë dëgjesës publike me ekspertë të mjedisit mbi platformën më të re të aplikimit online të lejeve mjedisore të tipit A dhe B ministri Klosi dha vlerësimin e tij për nismën e paralajmëruar për anullimin e lejeve mjedisore të tipit C.

Por nga ana tjetër kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj e ka spostuar debatin ndërinstitucional në këshillin bashkiak, ku në mbledhjen e fundit shprehu bindjen se e drejta për lejet mjedisore të tipit C i takon bashkisë.

Përtej debatit në distancë midis Bashkisë Tiranë dhe ministrisë së Mjedisit, kjo e fundit po vijon reformën e nisur në fushën dhënies së lejeve të mjedisit. Duke nisur nga data 1 dhjetor 2019 lejet e mjedisit të tipit A dhe B do mund të aplikohen online përmes portalit qeveritar e-Albania por paralelisht do të vijojnë aplikimet edhe përmes metodës së vjetër të dërgimit të shkresave pranë institucionit përkatës. Ky sistem dual do të zgjasë deri më datën 28 shkurt 2020 pasi në datën 1 mars 2020 lejet mjedisore do të lëshohen vetëm përmes platformës online.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb