TIRANE- Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu komentoi debatin e krijuar në publik lidhur me fushatën sensibilizuese të LGBTI në gjimnazet e Tiranës.

Në deklaratat e bëra gjatë një aktiviteti të Kuvendit, kryediplomati amerikan nuk nguroi të kritikojë me emra disa politikanë dhe deputetë të Kuvendit, si ish-ministrin Ylli Manjani, Tritan Shehun dhe Oriola Pampurin.

Sipas kryediplomatit amerikan, ata duhet të kenë kujdes në qëndrimet që mbajnë, pasi në të njëjtën kohë janë edhe të zgjedhur nga qytetarët.
dona
“Vetëm pak prej tyre kishin vërtetë kurajo, Igli Totozani, Vasilika Hysi, Elona Gjebrea dhe Olta Xhaçka. Kemi ndjekur debatin e nxitur nga komente të bëra nga Ylli Manjani, Tritan Shehu dhe Oriola Pampuri. Shpresoj që drejtuesit politikë ta kuptojnë që fjalët e tyre përfaqësojnë jo vetëm bindjet e tyre vetjake po dhe të njerëzve që i kanë zgjedhur për t’i përfaqësuar”, tha Lu.

Ambasadori amerikan pranon se ka përparime në këto tre vite por se ka ende diskriminim dhe homofobi.

“Është e vërtetë se kam parë përparim gjatë tre viteve të mia në Tiranë, por kam parë dhe diskriminimin dhe homofobi të vazhdueshme. Kam parë fare pak politikanë të gatshëm të marrin pjesë në aktivitete, të mbështesin këtë komunitet siç është marshimi i krenarisë apo mbrëmja gala për indeksin LGBTI. Vetëm pak prej tyre kishin kurajo. Mund të përmend Igli Totozani, Vasilika Hysi, Elona Gjebrea dhe Olta Xhaçka”

CFARE SHKRUAJTI MANJANI, PAMPURI DHE SHEHU
Në postimin e tij në “Facebook”, ish-ministri i Drejtësisë kishte shkruar: “Martesat Gay; Eutanasia; legalizimi i drogave e pisllëqe të tjera si këto, po ju mësohen të rinjve!!! Ambasada Amerikane dhe Fondacioni Soros janë organizatorët e këtyre debateve tek të rinjtë. Ky lajm u pëçua dje. Megjithë respektin që kam për organizatorët, nuk më duket aspak edukuese kjo gjë! Të rinjtë kanë nevojë të edukohen duke vajtë në shkollë për të mësuar normalen, ose atë që është e rregullta dhe e ligjshmja!

Edhe deputetja e PD-së, Oriola Pampuri kishte komentuar hapur kundërshtimin e saj në lidhje me këtë çështje: “Nuk ka absolutisht tagrin askush të përfshihet në leksione të hapura me fëmijë pa marrë miratimin e prindërve. Për shumë fëmijë në shkollat 9-vjeçare por edhe të mesme mund të përbëjë traumë në raste të tilla kur merret kështu informacioni i menjëhershëm nga persona të tillë, të cilët janë pjesë e këtij komuniteti. Ishte komplet në shkelje të të drejtave të njeriut”.

Të njëjtin qëndrim kishte mbajtur edhe deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, duke nënvizuar se “Ministria e Aresimit duhet sa më shpejt të japë shpjegime për këto veprime të pabazuara në ligj dhe të marrë masat përkatëse bllokuese e ndëshkuese”. Sipas tij, “zhvillimi në shkollat e arsimit para universitar me nxënësit aty, i aktiviteteve promovuese nga grupet LGBTI, është pa dyshim e pa tolerueshme dhe në mospërputhje me programet e studimit”.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb