TIRANE- Tensioni i krijuar në seancën e sotme plenare, ku deputetë të opozitës kanë hedhur miell, vezë, e letra në drejtim të kryeministrit Rama, si dhe veprimi i ministrit Bushati duke u hedhur ujë, ka ngjallur jo pak reagime. Kjo situatë e krijuar në Parlament është diskutuar edhe në emisionin e sotëm “Studio e hapur” me Eni Vasilin në “News24”.

Deputeti demokrat Ervin Salianji tha se gjashtë deputetë të opozitës janë përjashtuar për 10 ditë nga Kuvendi, pasi protestuan me të drejtë, sipas tij.

“Nuk është zbatuar njëlloj rregulloja. Janë dënuar 6 deputetë të opozitës, dhe 11 qytetarë kuksianë. Ndërsa Rama dhe qeveritarët janë ende aty, pa asnjë masë ndaj tyre. Janë përjashtuar gjashtë deputetë të opozitës pa prova, pa fakte. Nuk ka pasur asnjë reagim të ashpër deri në momentin që ministri i Jashtëm ka hedhur ujë ndaj deputetëve të opozitës. Deri në atë moment po i kërkonim krye parlamentarit Ruçi përjashtimin e kryeministrit Rama, pasi fyeu qytetarët shqiptarë. Protestuam për arrestimin e 11 qytetarëve kuksianë që ndodhen ende në burg. Ne përfaqësojmë qytetarët shqiptarë aty, të cilët protestojnë nga ana e tyre kundër taksave të rritura”, u shpreh deputeti Salianji.

Në reagim të këtyre deklaratave, deputetja socialiste Elisa Spiropali tha se reagimi i opozitës është i dëmshëm për integrimin europian të vendit. Ajo u shpreh se deputetët e rinj të PD-së dhe LSI-së po keqpërdoren nga Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, të cilët sipas saj i tremben reformës në drejtësi.

“Pamjet nuk kanë nevojë për dëshmues, sepse janë aty, të para nga gjithë botë. Janë bërë revolucione nëpër botë për miell dhe bukë por nuk është parë që një opozitë që i ka humbur të gjitha lidhjet me realitet dhe me kauzën e saj, që nuk di a e ka patur, vjen tani në Parlament dhe kërkon të revolucionarizojë politiken e vendit, për të dëmtuar qeverinë. Por këta nuk kanë lidership. Kanë një burrë dhe një grua në krye, si Basha dhe Kremadhi, dhe përdorin deputetë të rinj si Salianji, Mehmetaj, etj. I ka hyrë një frikë e madhe në raport me reformën në drejtësi, dhe i hedhin deputetët mish për top aty në sallën e Parlamenti. E kanë katandisur Kuvendin në një mejhane, me miell, ujë. Po nuk mbahet shtëpia me miell hua. Basha po kërkon të mbajë “shtëpinë e tij” me miell hua, duke ia marrë LSI-së”, u shpreh deputetja Spiropali.

“Recitimi i Spiropalit sillet rreth opozitës. Nëse jam keqpërdorur unë, i marr parasysh kostot e mia. Po a i heq kjo rrezikun qytetarëve shqiptarë, arrestimin e kuksianëve, rritjen e taksave?”, iu përgjigj deputeti demokrat.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb