Halit Valteri nga PS dhe Ilir Alimehmeti nga PD debatuan në emisionin “Opinion” në News24 lidhur me mbledhjet e Këshillit Bashkiak.
Valteri hodhi akuza të forta ndaj këshilltarëve bashkiakë të opozitës që më shumë rrinë pas derës së Kryebashkiakut për të pritur kockën e rradhës, se sa pas derës së Sali Berishës.
“Janë 3-4 këshilltarë bashkiakë të opozitës që kanë gruan ose motrën pjesë e administratës së Bashkisë. Presin kockën e rradhës pas derës. Sot ke këshilltar bashkiak që ka aplikuar për leje ndërtimi dhe rri në korridoret e urbanistikës, nuk shoh ndonjë biznesmen të Republikës së Shqipërisë që të hyjë në korridore e Bashkisë”, tha ai.
Por Alimehmeti e ftoi që këtë denoncim ta çojë aty ku duhet.
Debati
Valteri: Telitit dhe dallkaukut të Metës i vijnë mesazhe për të prishur mbledhjet e Këshillit Bashkiak
Alimehmeti: Po mbledhjet e Komisioneve pse zhvillohen normalisht? Sepse në Këshillin Bashkiak hyn ekzekutivi ndaj nuk lejohet opozita. Familje në nevojë nuk kanë përfituar ndihmën ekonomike
Valteri: Është e turpshme që ju nuk keni votuar për ndihmën sociale, vetëm 3 nga ju kanë votuar
Alimehmeti: Në komisione janë miratuar, në çdo komision kemi votuar. Të themi që nuk bëhet asgjë është nihilizëm, por nuk bëhet aq sa duhet. Vetëm 44% e buxhetit realizohet.
Valteri: Ke disa nga ata prej këtyre që presin ndonjë kockë nga Kryetari i Bashkisë. Më shumë rrinë pas derës së Veliajt se sa pas derës së Sali Berishës.
Alimehmeti: Është akuzë e rëndë kjo, duhet t’i çosh kallëzimet atje ku duhet.
Valteri: Unë se kam problem, shkoj edhe aty, a do më mbështetësh edhe ti?
Alimehmeti: Për çdo denoncim abuzimi të mbështes. Por edhe ti më mbështet kur të denoncoj unë
Valteri: Janë 3-4 këshilltarë bashkiakë të opozitës që kanë gruan ose motrën pjesë e administratës së Bashkisë. Presin kockën e rradhës pas derës. Sot ke këshilltar bashkiak që ka aplikuar për leje ndërtimi dhe rri në korridoret e urbanistikës, nuk shoh ndonjë biznesmen të Republikës së Shqipërisë që të hyjë në korridore e Bashkisë. Të mbështes nëse ti denoncon me emër dhe mbiemër cilindo.
(BalkanWeb)