TIRANE- Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas dëbimit të dy diplomatëve shqiptarë nga Rusia si përgjigje ndaj dëbimit të dy diplomatëve rusë në Tiranë. MEPJ thotë se reagimi i Moskës nuk përbën surprizë, pasi pritej.

Sipas ministrisë, pavarësisht dëbimit të diplomatëve, kanalet diplomatike mbeten të hapura në funksion të marrëdhënieve konstruktive dypalëshe, paqes dhe sigurisë.

“Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Moskë u thirr në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse. Gjatë takimit, Ambasadorit i’u komunikua shpallja “non – grata” e dy diplomatëve shqiptarë të akredituar në Federatën Ruse. Reagimi i Moskës nuk përbën surprizë për ne. Vendimi i marrë prej nesh pak ditë më parë në lidhje me dy diplomatët Rusë, i bashkërenduar me qëndrimet e aleatëve tanë strategjikë ishte proporcional ndaj sulmit kimik në Salisbury. Theksojmë se kanalet tona diplomatike mbeten të hapura në funksion të marrëdhënieve konstruktive dypalëshe, paqes dhe sigurisë”- thuhet në deklaratën e MEPJ.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb