TIRANË

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama pas dëbimit të ambasadorit iranian në Tiranë dhe një diplomati tjetër të cilët akuzohen për komplote terroriste brenda vendit tonë.

Letra është bërë publike nga amabsada amerikane në Tiranë, e cila përgëzon qeverinë shqiptare për veprimet kundër regjimit iranian. Ambasada shpreh mbështetje për Shqipërinë, duke e cilësuar aleat strategjik.

Ndërsa në letrën e tij, Presidenti Trump falënderon kryeministrin Rama dhe shkruan se ‘udhëheqësia e treguar me dëbimin e Ambasadorit të Iranit nga vendi juaj është shembull i përpjekjeve tona të përbashkëta për t’i treguar qeverisë iraniane se veprimet e saj terroriste në Evropë dhe përreth botës do të kenë pasoja të rënda’.

Letra E Trump
Letra E Trump

Më tej Presidenti amerikan, shprehet në letrën e tij për kryeministrin se Shqipëria ka qenë gjithmonë një mike e madhe e Shteteve të Bashkuara dhe se mirëpret rritjen e partneritetit tonë.

“E përgëzojmë Qeverinë e Shqipërisë për arsye se ndërmori veprime kundër regjimit Iranian për komplotin e tij terrorist në tokën shqiptare, duke kërcënuar sigurinë evropiane. Qeveria e Shqipërisë ka treguar udhëheqësi të vërtetë në përpjekjet tona të përbashkëta për t’i dërguar një mesazh të qartë Iranit se kryerja e veprimeve terroriste në Evropë, apo kudo tjetër, është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet. Ne qëndrojmë krah për krah me Shqipërinë, aleatin tonë në NATO dhe partnerin tonë strategjik. Në vijim gjeni një letër të Presidentit Donald Trump në të cilën falënderohet Qeveria e Shqipërisë.

“I dashur Z. Kryeministër: Faleminderit për përpjekjet tuaja të palëkundura duke iu kundërvënë Iranit dhe duke iu kundërpërgjigjur veprimeve e përpjekjeve të tij destabilizuese për t’u mbyllur gojën disidentëve anembanë globit. Udhëheqësia e treguar nga ju me dëbimin e Ambasadorit të Iranit nga vendi juaj është shembull i përpjekjeve tona të përbashkëta për t’i treguar qeverisë iraniane se veprimet e saj terroriste në Evropë dhe përreth botës do të kenë pasoja të rënda. Shqipëria ka qenë gjithmonë një mike e madhe e Shteteve të Bashkuara dhe unë mirëpres rritjen e partneritetit tonë, ndërsa ballafaqohemi me çështjet e shumta të rëndësishme që të dy vendet tona hasin. Sinqerisht, Donald Trump”

Us
Us

Shqipëria ka shpallur persona të padëshiruar (non grata) ambasadorin e Republikës Islamike të Iranit në Tiranë Gholamhossein Mohammadnia si dhe një zyrtar tjetër tjetër të ambasadës, pasi dyshohet se janë përfshirë në aktivitete që cenojnë sigurinë në vend.

Burime nga MEPJ bënë me dije për “BalkanWeb” se vendimi i Shqipërisë për shpalljen e ambasadorit iranian dhe zyrtarit tjetër si të padëshiruar është marrë në konsultim me vendet aleatë, për shkak të aktivitetit të tyre në Shqipëri në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik.

Për dëbimin e amabsadorit iranian nga Shqipëria dhe një zyrtari tjetër të ambasadës reagoi edhe këshilltari për sigurinë i Presidentit Trump John Bolton, i cili ka shprehur mbështetje për kryeministrin Edi Rama dhe popullin shqiptar në qëndresën kundër terrorizmit.

Po kështu mbrëmjen e kaluar edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka përshëndetur vendimin e Shqipërisë për të dëbuar ambasadorin iranian në Tiranë si dhe një punonjës tjetër, që akuzohen se komplotuan sulme terroriste në Shqipëri.

Pompeo shkruante se përgëzon vendimin e kryeministrit Edi Rama për dëbimin, ndërsa sipas tij bota duhet të qëndrojë e bashkuar ndaj sanksioneve të Iranit në mënyrë që të ndryshojë sjellje.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb