KORCE- “Dëbora” arrestohen 4 punonjës të firmës “RD-2”, nuk kriposën rrugët, mungonte sinjalistika. Operacioni i zhvilluar nga Sektori Për Krimin Ekonomik e Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Sektorin Për Krimin Ekonomik e Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Korçë dhe me Prokurorinë Pogradec.

Arrestohet Administratori i shoqërisë “RD-2 sh.p.k”, për mirmbajtien e rrugës Qafë-Thanë – Pogrades, si dhe një punonjës i kësaj firme i pa rregjistruar.

Arrestohet Supervizori i Drejtorisë së Rajonit Jugor dhe Specialisti i Drejtorisë së Rajonit Jugor , Sektori Korçë.

Më datën 03.01.2015, rreth orës 22.00, është finalizuar operacioni i koduar “Dëbora”.

Specialistët e Sektorit për Krimin Ekonomik e Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Specialistët e Sektorit për Krimin Ekonomik e Financiar në Drejtorinë e Policisë së qarkut Korçë dhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Pogradec, lidhur me situatën e krijuar më datën 29 e 30 Dhjetor 2014, ku për shkak të reshjeve të dëborës ka pasur bllokime të rrugës në aksin Pogradec –Dogana Qafë -Thanë , kanë bërë arrestimin e shtetasëve.

* Alban Abazi , vjeç 33, banues në Pogradec, administrator i firmës “RD-2” për mirmbajtien e rrugës Qafë- Thanë -Pogradec.

* Artan Hoxha, vjeç 41, me detyrë Supervizor pranë Drejtorisë së Rajonit Jugor , Sektori Korçë.

* Xhevdet Mulaj, vjeç 54 , me detyrë Specialist pranë Drejtorisë së Rajonit Jugor , Sektori Korçë.

* Arlint Berberi , vjeç 40, punonjes pranë shoqërisë “RD-2 sh.p.k i pa rregjistruar.

Nga kryerja e veprimeve të para hetimore rezultoi se :

Shoqëria “RD-2” është shoqëria përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe pastrimin nga dëbora të aksit rrugor Pogradec – Qafë Thanë, për të cilën ajo ka lidhur kontratë me Drejtorinë e Rajonit Jugor Gjirokastër, ku një nga kushtet e kontratës është kriposja e rrugës në rastet e ngricave apo të reshjeve të dëborës.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera ka rezultuar se më datën 29 dhe 30 Dhjetor 2014 , nga ana e shoqërisë kontraktuese nga Autoriteti Rrugor , nuk është bërë kriposja e rrugës , pasi nuk disponon ansnjë dokumentacion që vërteton hedhjen e kripës në rrugë, si dhe nuk është vendosur sinjalistika rrugore lidhur me shenjat paralajmëruese për rrëshqitje të automjeteve, si dhe shenjave detyruese për vendosjen e zinxhirëve nga drejtuesit e automjeteve.

Nga ana e Adminsitratoit të shoqërisë “RD-2”, është shmangur kryerja e veprimeve mbikëqyrëse nga drejtuesja teknike e firmës.

Këto veprime të kryera nga Shoqëria “RD-2” , dyshohet se janë kryer me qëllim përvetësimin e pagesave në lekë nga autoriteti kontrakor pa kryer punimet sipas kontratës.

Gjithashtu nga veprimet e kryera rezultoi se shoqëria “RD-2” ka punësur edhe persona të tjerë të pa regjistruar në organet përkatëse shtetërore për zbatimin e kontratës së sipërcituar.

Supervizori pranë Drejtorisë së Rajonit Jugor , Sektori Korçë, Artan Hoxha ka konsumuar elementë të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, pasi gjatë ushtrimit të detyrës nuk ka kryer asnjë akt inspektimi formal ndaj shoqrisë “RD-2”, me qëllim njoftimin e autoritetit më të lartë për pamundësinë e firmës kontraktore në përballimin e situatës së krijuar nga moti i keq.

Specialisti pranë Drejtorsë së Rajonit Jugor , Sektori Korçë Xhevdet Mulaj, ka konsumuar elementë të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, pasi gjatë ushtrimit të detyrës nuk ka kryer asnjë akt inspektimi formal ndaj shoqrisë “RD-2”, me qëllim njoftimin e autoritetit më të lartë për pamundësinë e firmës kontraktore në përballimin e situatës së krijuar nga moti i keq.

Arlint Berberi, punonjës pranë shoqërisë “RD-2 shpk”, i pa rregjistruar, ka konsumuar elemëntë të veprës penale “Fallsifikim të dokumentave “, pasi ka fallsifikuar dy fatura tatimore në emër të subjektit “RD-2” me adminsitator shtetasin Aban Abazi.

Njëkohësisht kanë nisur hetimet për përgjegjësinë penale të personit juridik “Shoqëria RD-2 sh.p.k”, si dhe për proceduarat e tenderimit të drejt- përdrejtë të zhvilluara nga Drejtoria e Rajonit Jugor Gjirokastër për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesmarrjes në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit PENAL.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: