Reshjet e dëborës kanë mbuluar Qafën e Thores dhe Vermoshin në qarkun e Shkodrës.
Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se grupet e punës me mjetet borëpastruese janë në terren për ta mbajtur hapur dhe lehtësisht të kalueshëm këtë aks, i cili përveç banorëve, përdoret edhe nga turistët të cilët zgjedhin ta vizitojnë zonën për turizëm alpin.
ARRSH bën me dije se deri tani rruga është e hapur dhe qarkullimi kryhet pa probleme.
Gjatë natës në qarkun e Shkodrës ka pasur erëra të forta dhe reshje shiu.
Nga strukturat e Bashkisë Vau Dejës njoftohet se ka mungese të energjisë elektrike në disa fshatra. Sa i përket Bashkisë Pukë, më parë u njoftua se si pasojë e erërave dhe reshjeve është dëmtuar çatia e një spitali.
Në territorin e bashkisë Fushe Arrëz si pasojë e reshjeve të dendura të shiut janë dëmtuar pothuajse të gjitha rrugët rurale, rrëshqitje të dherave dhe rënie të gurëve në rrugë. Që nga dje pasdite ka shkëputje të energjisë elektrike në Njësite Administrative Qafe-Mali, Iballë, dhe Blerim.
Dëmtime janë raportuar edhe në disa pallate në qytetin e Fushë Arrëzit.
Në Lezhë, nga reshjet e shiut prej rreth 30mm gjatë 24 orëve nuk janë shkaktuar probleme në infrastrukturën e kullimit, argjinatura dhe në digën e rezervuarit të Shtodrit.