Qyteti i Korçës është kthyer tashmë në një destinacion të dashur dhe të preferuar për shumë turistë, vendas dhe të huaj sidomos për festat e fundvitit.
Korça gjithmonë ka treguar se përmes transformimit të saj me ngjyrat e festave, dritat, detajet e çdo rruge apo sheshi të zbukuruar të krijojë një atmosferë të paharrueshme për çdo turist që shkel këtu, qoftë për herë të parë apo jo.
Viteve të fundit qyteti juglindor ka pasur kërkesa gjithmonë e në rritje të rezervimeve nga vizitorët vendas dhe turistët e huaj për festat e fundvitit, duke e kthyer këtë periudhë në një traditë të veçantë që festatat domosdoshmërisht duhet t’i kalosh në Korçë.
Enriketa Koçollari, menaxhere turizmi në Korçë thotë se rezervimet në të gjitha hotelet e juglindjes për festat e fundvitit mbyllen që në muajin tetor. Nga ana tjetër, vizitorët shprehen se e zgjedhin Korçën dhe pikat turistike të saj për atmosferën e krijuar, për dëborën, si dhe për kulinarinë e veçantë. Hotelet dhe bujtinat po përballen me një fluks të shtuar vizitorësh, aq sa sot në Korçë flitet për zgjerim të kapaciteteve akomoduese.
Edhe qytetarët e kanë kuptuar rëndësinë e turizmit në Korçë ndaj dhe kanë shfrytëzuar mundësinë për të kthyer shtëpitë e tyre në shtëpi pritëse për turistët, duke iu ofruar një përvojë unike me origjinalitetin dhe traditën e qytetit. Gjithashtu, Koçollari pohon se shtëpitë pritëse nuk iu shërbejnë vetëm vizitorëve që bujtin tek ata, por edhe ekonomisë familjare të qytetarëve që i mirëpresin.
Nisur nga përvoja e tyre, vizitorët thonë se në Korçë gjejnë gjithçka, dëborë, serenata dhe shije, ndërsa nuk largohen nga qyteti juglindor pa provuar Birrën Korça dhe Birrën Gold by Korça, për të cilat shprehen se janë “ilaç” që të kënaqin shpirtin.
Korça ofron një atmosferë unike për vizitorët. Gjatë periudhës së festave, qyteti ngjall kureshtjen e qindra vizitorëve jo vetëm shqiptarë, por edhe të huaj pasi iu ofron jo vetëm bukurinë dhe gjallërinë e një qytetiti të mgjishëm, por edhe mundësinë për të mësuar mbi kulturën dhe historinë e saj.
Turistët shfrytëzojnë qëndrimin e tyre disaditor për të vizituar muzeumet, fabrikën e Birrës Korça, parqet, Pazarin e Vjetër dhe atraksionet jashtë qytetit, duke e shëndruar festën në një përvojë të paharrueshme.
Në Korçë gjen vizitorë të ardhur nga të gjitha qytetet e vendit, si Tirana, Durrësi, Saranda dhe Shkodra, por nga ana tjetër, nuk mungojnë as turistët e huaj. Një turiste nga Maqedonia e Veriut thotë se është e dyta herë që e viziton Korçën dhe asnjë qytet në rajon nuk i ofron ndjesitë pozitive që përjeton në Korçë, jo vetëm përgjatë festave.
Për festat e fundvitit përveç qytetit turistët zgjedhin edhe zonat turistike të saj, si Dardha, Voskopoja, Boboshtica apo Vithkuqi.
Përveç bukurisë natyrore, këto zona ofrojnë edhe një traditë të pasur kulinarie, që është një tjetër arsye e fortë përse turistët e zgjedhin këtë zonë për pushimet e fundvitit.
Në këtë periudhë, këto fshatra mbulohen edhe nga dëbora, duke i dhënë festave një atmosferë të veçantë dhe të magjishme.
Të gjithë këto elementë bëjnë që qyteti juglindor të mbetet një nga destinacionet e preferuara për festat e fundvitit që shumë turistë e quajnë kryeqyteti i festave. Gazetarja e Neës24, Lorena Kodra për pak çaste la Korçën, për të udhëtuar drejt Voskopojës, për t’u njohur me prenotimet dhe atmosferën festive atje.
Anton Falo, operator turistik në Voskopojë gjithashtu pohon se prenotimet për Krishtlindje dhe Vitin e Ri mbyllen që në tetor, madje ajo që i tërheq më shumë turistët është dëbora. Mandej vizitorët e zgjedhin Voskopojën, për të provuar gatimet tradicionale, si lakrorët në saç apo petullat e fshira. Për t’i kënaqur sa më shumë, Anton Falo tregon se mbrëmjet i shoqërojnë gjithnjë me muzikë live.
Një nga destinacionet më të frekuentuara për festat e fundvitit mbetet padyshim Shtëpia e Birrës Korça.
Ky ambient familjar, përveç mikpritjes së ngrohtë dhe komoditetit që ofron, është vendi ideal për ata që kërkojnë një përvojë autentike.
Turistët këtu mund të shijojnë pijen më të dashur të shqiptarve, Birrën e freskët Korça, gatimet tradicionale të zonës, por kanë edhe mundësinë për të vizituar fabrikën historike, e cila ka ruajtur traditën dhe cilësinë e produktit, duke investuar në kushte moderne dhe teknologji të avancuar. Administratori i Shtëpisë së Birrës Korça, Lorenc Nako thotë se turistët përveçse shijojnë Birrën Korça dhe Gold By Korça, falë mbresave që iu lë, zgjedhin të vizitojnë ambientet e fabrikës.
Birra Korça nuk mund të shijohet pa kërnackat tradicionale, pohon shefi i kuzhinës së Shtëpisë së Birrës, Julian Liço. Nga ana e tyre, vizitorët thotë se Birra Korça i shoqëron kudo, në çdo festë apo gëzim të tyre, pasi edhe sot vijon të jetë më e mira.
Për shumë turistë vendas dhe të huaj edhe për ata turistë që e vizitojnë Korçën për herë të parë, ky qytet është një destinacion i shkëlqyer për festat e fundvitit me një atmosferë të ngrohtë, mikpritëse dhe tradicionale.
Me aktivitetet e saj të pasura, kapacitetet akomoduese në rritje, kulturën dhe kulinarinë, Korça dhe të gjitha pikat turistike të saj po shndërrohen në atraksione turistike gjithëstinore. Kjo është Korça, nusja e veshur me të bardha që sajdis kurdoherë me bujari miqtë e saj.