Nga: OLA MITRE*
TIRANE – Të gjithë qytetarët duhet të evitojnë ato pishina, të cilat nuk kanë të afishuara kushtet higjieno-sanitare dhe rregullat teknike”. Apeli vjen nga kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Eltar Deda pak ditë pas hapjes së sezonit turistik, si një nga mënyrat më të mira për të shmangur problemet që mund të vijnë nga ngarkesa e lartë bakteriale apo sasia jo e duhur e klorit.

Përmes një prononcimi, dhënë për “Gazeta Shqiptare” Deda shton se edhe pronarët e pishinave duhet të zbatojnë rregullat përkatëse, ndërsa bën me dije se shumë shpejt do të jenë gati dhe rezultatet e para të monitorimit në kryeqytet.

“Ne si inspektorat bëjmë kontrolle para sezonit, gjatë sezonit dhe në mbyllje të sezonit turistik. Aktualisht, nga data 1 qershor kemi filluar inspektimet nëpër pishina dhe raportin javor, mbi situatën e tyre do e kemi gati këto ditë. Është herët për të folur për të dhëna, por ne japin rekomandimet tona për pronarët e pishinave, që të zbatojnë me përpikmëri të gjitha kushtet higjieno-sanitare, që janë të përcaktuara në rregulloret e menaxhimit të pishinave. Në të njëjtën kohë i bëj thirrje gjithë qytetarëve, që të mos përdorin ato pishina që nuk i kanë të afishuara kushtet higjieno-sanitare dhe rregullat teknike për të gjithë. Të gjithë qytetarët të frekuentojnë ato pishina që janë brenda normave higjieno-sanitare dhe brenda gjithë standardeve, me qëllim evitimin e problemeve”,- u shpreh Deda.

Problematika
Sipas specialistëve, gjatë stinës së verës ka një shtim të infeksioneve në lëkurë, ndërsa një pjesë e ‘fajit’ i adresohet pikërisht frekuentimit të pishinave. Dermatologët thonë se tek shumë persona klorifikimi i ujit mund të shkaktojë dermatit alergjik, ndërsa te disa të tjerë lagështira përbën faktor për shfaqjen e mykrave të ndryshëm.
Për këtë arsye ata kërkojnë nga çdokush që mund të ketë shfaqje të puçrrave, me rrjedhje sekrecionesh në lëkurë apo kore të mykut, të drejtohet menjëherë pranë dermatologut për të marrë mjekimin e domosdoshëm. Për sa i përket moshës, sëmundjet mykotike të lëkurës takohen më tepër tek të rriturit e më pak te fëmijët.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb