Janë të paktën 18 rekomandime në projektrezolutën e Kuvendit të Shqipërisë për Bankën Qendrore të lidhura me aktivitetin e saj në vijim. Ashtu sikurse pritej një vëmendje e veçantë i është kushtuar politikës së stimulimit të përdorimit të monedhës vendase si dhe efektit të mundshëm të saj në kursin e këmbimit. Konkretisht lidhur me deeuroizimin Kuvendi i kërkon BSH-së që “të ndjekë në vazhdimësi zhvillimet financiare dhe ekonomike në vend, për të vlerësuar efektet që do të ketë aplikimi i masave të marra për uljen e përdorimit të monedhës euro në ekonomi në funksion të rritjes së efektivitetit të politikës monetare dhe forcimit të stabilitetit financiar, si dhe të konsiderojë ndërhyrjet e duhura drejt stabilizimit të kursit të këmbimit, për të mos cenuar konkurrueshmërinë e eksporteve shqiptare”.

Ndër të tjera Kuvendi rekomandon që të vijohet me politikën monetare stimuluese për të kthyer inflacionin në objektiv si dhe për të gjallëruar aktivitetin ekonomik në vend. Kreditimi është një tjetër çështje që prek projektrezoluta ku kërkohet që kreditimi të orientohet drejt sektorëve që cilësohen si potencialë për ekonominë por edhe që mbarin një risk më të ulët.

Edukimi i biznesit dhe publikut të gjerë është lënë si detyrë më vete ku një ndër elementët që duhet të merret në konsideratë është vënia e theksit tek “ngërçi” që ekziston lidhur me konceptet “leku i ri” apo “leku i vjetër”.

“Nxitja e përdorimit të instrumenteve elektronikë të pagesave dhe rritja e transparencës janë rekomanduar gjithashtu për tu ndjekur nga afër. Të nxisë përdorimin e instrumenteve elektronike të pagesave nëpërmjet përmirësimit të kuadrit rregullativ, zhvillimeve infrastrukturore dhe investimit në edukimin financiar të publikut, për të garantuar qarkullimin e sigurt, të shpejtë dhe me kosto të ulët të parasë në ekonomi.

Të forcojë më tej mirëqeverisjen e Institucionit nëpërmjet forcimit të pavarësisë dhe rritjes së llogaridhënies. Të rrisë transparencën mbi veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë përmes zgjerimit të informacionit dhe përmirësimit të vazhdueshëm të kanaleve të komunikimit me publikun dhe grupet e ndryshme të interesit” thuhet në dokumentin e Kuvendit.

Mes të gjitha çështjeve nuk mungon as një pikë për ish-Hotel Dajtin. Godina që u ble nga Banka për 30 milionë euro në vitin 2010 është në fazë rikonstruksioni dhe Kuvendi ka nënvizuar se duhet të bëhet një ndjekje me rigorozitet e ritmit të punimeve në godinën e ish- Hotel Dajti-t për të bërë të mundur funksionimin e kësaj godine në një kohë sa më të shkurtër. /Monitor/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb