NGA OLA MITRE

TIRANE- Defektet e lindura në vendin tonë prekin rreth 14-15 foshnja në 1000 lindje të gjalla”. Të dhënat i takojnë sistemit të survejancës së defekteve të lindura, ndërsa bëhen me dije nga Instituti i Shëndetit Publik. Sipas të njëjtave të dhëna, defektet më të zakonshme prekin sistemin kardiovaskular, muskuloskeletik, gastrointestinal (duke përfshirë kavitetin e gojës), atë gjenital dhe sistemin nervor. Po ashtu, rezulton se rreth 60% e foshnjave me defekte të lindura banojnë në zonat rurale, ku 70% të rasteve e zënë meshkujt.

SHKAQET
Sipas specialistëve të ISHP-së, edhe pse aktualisht rreth 50% e të gjitha anomalive kongjenitale nuk mund të lidhen me një arsye të veçantë, ka disa shkaqe të njohura apo faktorë rreziku, si: faktorët socio-ekonomikë dhe demografikë, gjenetikë, mjedisorë, infeksionet, e deri te ushqyerja e nënës. “Edhe pse të ardhurat e ulëta mund të jetë një përcaktues i tërthortë, anomalitë kongjenitale janë më të shpeshta në mesin e familjeve dhe vendeve me burime të kufizuara. Është vlerësuar se rreth 94% e anomalive kongjenitale të rënda ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ku gratë shpesh nuk kanë qasje në ushqim të mjaftueshëm, mund të kenë rritje të ekspozimit ndaj agjentëve apo faktorëve të tillë si infeksionet dhe alkooli, që nxisin apo rrisin incidencën e zhvillimit të anomalive para lindjes. Për më tepër, mosha e avancuar e nënave rrit rrezikun e anomalive kromozomike, duke përfshirë sindromën Down, ndërkohë që mosha e re e nënës rrit rrezikun e disa anomalive të tjera kongjenitale”, thonë specialistët.

Sa u takon faktorëve gjenetikë, sipas tyre, kur dy prindërit kanë lidhje gjaku, rritet prevalenca e anomalive të rralla kongjenitale dhe gati dyfishohet rreziku për vdekje të fëmijëve, për paaftësi intelektuale dhe anomali të tjera në rrethin e kushërinjve të parë. “Infeksionet e nënës si sifilizi dhe rubeola janë një shkak i rëndësishëm i anomalive kongjenitale në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare. Po ashtu, mungesa e jodit, pamjaftueshmëria në folate, obeziteti dhe diabeti janë të lidhura me disa anomali të lindura. Për shembull, pamjaftueshmëria në folate rrit rrezikun e të pasurit një fëmijë me një defekt të tubit neural. Gjithashtu, marrja e tepruar e vitaminës A mund të ndikojë zhvillimin normal të një embrioni ose fetusi”, shtojnë ata.

Të tjerë faktorë janë edhe ata mjedisorë, pasi ekspozimi i nënës ndaj disa pesticideve dhe kimikateve, ashtu si edhe ndaj disa medikamenteve të caktuara, ndaj alkoolit, duhanit, drogave psikoaktive dhe rrezatimit gjatë periudhës së shtatzënisë, mund të rrisin rrezikun e të pasurit një fëmijë të prekur nga anomalitë kongjenitale. “Puna apo jetesa afër grumbullimit të mbeturinave apo shkrirjes së mineraleve, mund të jetë gjithashtu një faktor rreziku, veçanërisht në qoftë se nëna është e ekspozuar ndaj faktorëve të tjerë të rrezikut mjedisor apo mangësive ushqyese”, thonë specialistët e ISHPsë.

PARANDALIMI
Ndërkaq, specialistët e vënë theksin te masat parandaluese të shëndetit publik, që ulin frekuencën e disa anomalive të lindura. Përmirësimi i dietës së grave, mënjanimi i substancave të dëmshme, kontrolli i diabetit para dhe gjatë shtatzënisë apo shmangia e ekspozimit mjedisor ndaj substancave të rrezikshme janë disa prej masave kryesore në këtë drejtim. Ndërkaq, në tabelën bashkëngjitur shkrimit mund të gjeni të plota një sërë rekomandimesh për të reduktuar në maksimum defektet e lindura.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: