Anëtari i Kryesisë së PD, Grigels Muçollari u shpreh gjatë një deklarate se Biblioteka Kombëtare nuk do të jetë më aty ku ndodhet. Ai tha se ajo do të zhvendoset në zonën e quajtur “Vilat Gjermane”.

Muçollari tha se në truallin ku ndodhet ndërtesa e Bibliotekës Kombëtare do të ndërtohen kulla. “Duket se ka një nxitim të kryeministrit për të çuar shpejt e shpejt deri në fund planin që ka për pronat shtetërore për t’i ndarë me miqtë e tij. Dhe papritur çdo javë del një njoftim në një faqe të Korporatës së Investimeve ku mësohet se një godinë historike si kjo do fshihet, do zhduket”, tha ai.

Deklarata

Kjo godinë historike këtu pas meje, që të gjithë qytetarët e njohin, nuk do të jetë më Biblioteka Kombëtare.

Edi Rama ka vendosur që këtë institucion kyç të kulturës dhe kombit ta degdisë në periferi të Tiranës, me një projekt aspak transparent.

Sipas këtij njoftimi që ka nxjerrë Korporata e Investimeve, thjesht mësohet se Biblioteka Kombëtare do të jetë në zonën që njihet si “Vilat Gjermane”. Në njoftim ftohen kompani që të paraqesin projekte.

Nuk ka asnjë informacion se pse u mor ky vendim, dhe çfarë do të ndodhë me këtë godinë këtu, pasuri e qytetit dhe e shqiptarëve.

Nuk dihet asgjë se me çfarë do të shpërblehet fituesi i paracaktuar, një mik i Edi Ramës.

A do të ketë fatin dhe ky ansambël këtu buzë Sheshit Skënderbej, si shumëkund, të kthehet në biznes fitimprurës klientelist, në një kullë qindra milionë euroshe?
Kjo mungesë transparence nuk vjen ngaqë Edi Rama nuk e di se çfarë do të bëhet. Përkundrazi, ai thjesht po e mban të fshehtë skemën e tij. Kjo mënyrë e trajtimit të objekteve e pasurive publike e shtetërore, tregon se ai e konsideron veten si pronar të tyre dhe mund të bëjë çfarë të dojë.

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë nuk është pronë e Edi Ramës. Ky institucion kult i përket qytetarëve dhe shqiptarëve.

Duket se ka një nxitim të kryeministrit për të çuar shpejt e shpejt deri në fund planin që ka për pronat shtetërore për t’i ndarë me miqtë e tij. Dhe papritur çdo javë del një njoftim në një faqe të Korporatës së Investimeve ku mësohet se një godinë historike si kjo do fshihet, do zhduket.

Të gjitha këto, Edi Rama po i bën pak muaj para zgjedhjeve. Për këtë arsye, për të ndalur dhe këtë pazar klientelist dhe korruptiv me pasuritë shtetërore, vota e 11 Majit ka rëndësi jetike.

Qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë duhet t’i tregojnë Edi Ramës se nuk është ai pronari i Bibliotekës Kombëtare, as i Galerisë, as i Muzeut, as i atyre dhjetëra objekteve që ka vendosur të shpërndajë tek miqtë e tij.

Ky plan famëkeq duhet ndalur, dhe 11 Maji është dita për ta ndalur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb