Shtëpia e braktisur në hyrje të fshatit Bradash të Komunës së Podujevës po u ngjall frikën banorëve të këtij fshati. Disa prej tyre po thonë se nga ajo shtëpi janë dëgjuar zëra gjatë natës. Për këtë arsye, ata edhe nuk guxojnë që të kalojnë shpesh këtë rrugë sapo nis të errësohet. Por, në Komunën e Podujevës e mohojnë një gjë të tillë dhe thonë se këto janë vetëm fjalë. Express ka vizituar sot këtë shtëpi dhe u sjell rrëfimet e banorëve.

Enisi nga Bradashi i Podujevës me vrap e kalon rrugën që të shpie për në fshatin ku jeton. Shtëpia e braktisur që gjendet në hyrje të këtij fshati, 9-vjeçarit nga Podujeva, i ngjall frikën çdo ditë. Madje, sapo fillon të errësohet ai thotë se nuk guxon të kalojë fare nga ajo pjesë. “Sa herë që më bie të kalojë afër asaj shtëpie, vrapoj gjithmonë. Shokët më kanë treguar që ma herët aty janë dëgjuar zëra. Natën nuk dal kurrë andej”, ka treguar Enisi. Faktin se në këtë shtëpi janë dëgjuar zëra më parë, e pohojnë edhe disa prej banorëve ndonëse kanë dashur që të mbesin anonim. Ata thonë se nga kjo shtëpi zërat janë dëgjuar gjatë natës.

“Natën banorët kanë dëgjuar zëra dhe më pas kurrë nuk ka guxuar njeri të kalojë. Edhe fëmijët tremben shumë. Askush nuk guxon të hyjë brenda asaj shtëpie” thanë mes të tjerash banorët.
Por, pavarësisht këtyre pretendimeve, një nga banorët, Fadil Gashi pohon se nuk ka dëgjuar asgjë të tillë rreth asaj shtëpie. Gashi tha se e gjithë kjo histori nisi kur një plak i këtij fshati kishte thënë se kishte dëgjuar britma nga kjo shtëpi. Prej asaj dite, shtoi Gashi- lajmi ishte përhapur në tërë fshatin. “Kur s’kemi dëgjuar zëra. Ka qenë një plak që e ka thënë diçka të tillë. Ai e ka pasur shtëpinë shumë afër asaj banese, dhe pretendonte se dëgjonte zëra”, shpjegon Gashi. Ai tha se nipërit dhe mbesat e tj luajnë brenda asaj shtëpie dhe nuk kanë dëgjuar kurrë zëra. “Fëmijët tanë aty enden. Madje edhe luajnë në atë shtëpi po nuk kanë dëgjuar hala asnjë zë”, ka thënë ai.

Ndërkohë, zëdhënësi i Komunës së Podujëvës, Nazmi Elezi tha për Express se nuk është e vërtetë se në këtë shtëpi dëgjohen zërat, por vetëm fliten thashetheme. “Banorët nuk ankohen sepse aty është udhëkryq edhe njerëzit lëvizin pa ndonjë problem”, ka thënë Elezi. Të njëjtën qëndrim mban edhe zyrtari tjetër përgjegjës për fshatrat e kësaj komune, Latif Mehmeti. Ky i fundit tha se banorët pretendojnë se shtëpia është e ndërtuar mbi varrezat e fshatit dhe se për këtë arsye dëgjohen zëra. “Ka fjalë se aty për shkak që shtëpia është e ndërtuar mbi një varr, ndaj edhe dëgjohen zëra sipas tyre, por kjo nuk është e vërtetë. Prej aty nuk del asnjë zë”, ka thënë ai. Hapësira që e rrethon këtë shtëpi është e mbuluar e tëra me bar dhe është shumë e vështirë që të kalohet në të. Por, brenda shtëpisë shihen grafite që dëshmon se banorët më herët kanë hyrë brenda saj.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: