Ashtu siç kishin paralajmëruar, banorët e 10 fshatrave në bashkinë e Mirditës kanë përshkallëzuar reagimin e tyre në lidhje me degradimin e aksit rrugor Rrëshen-Burrel.

Gazetari Elidon Ndreka raporton për BalkanWeb se këtë të premte, ata kanë bllokuar këtë aks rrugor, duke kërkuar nga qeveria ndërhyrjen për rehabilitimin e kësaj rruge kombëtare, e cila është bërë thuajse e pakalueshme, duke vështirësuar jetën e mijëra banorëve.

Kjo protestë po ndiqet nga afër edhe nga uniformat e policisë, të cilët ishin paralajmëruar për këtë veprim.

Kujtojmë se disa ditë më parë, banorët e fshatit Tarrazh, Mirditë u ngritën në protestë për degradimin e këtij aksi rrugor i cili sikurse thanë ata, është bërë thuajse i pakalueshëm.

Në gjatësinë e rrugës prej 31 km ka rrëshqitje të trasesë dhe dëmtime të asfaltit duke vështirësuar kalimin e automjeteve. Banorët u shprehën se prej dy muajsh mungon dhe mirëmbajtja në këtë segment dhe në këto kushte, i bënë thirrje pushtetit qendror për ndërhyrje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb