Një nga shqetësimet më të mëdha, në ditët ku po jetojmë, është fshirja e jetës private dhe bashkimi me atë publike. E ushqyer nga media për reality show, ajo ka përfshirë intensivisht dhe atë pjesë të shoqërisë jashtë platformave të saj. Nxjerrja e privates dhe shfrytëzimi i saj po bëhet më shumë se bezdisës: gati linçues. Dhe, nuk është fjala vetëm për komentet e anonimëve dhe përfoljet e shumta, që shoqëria jonë i toleron. Kjo duket dhe një nga arsyet sesi goditen një pjesë e mirë e kundërshtarëve politikë apo edhe vetë njerëzit publikë, që ua adresojnë dhe u bëjnë publike gjithçka, të ndodhur apo të pandodhur. Arsyeja pse sot ka një krizë të madhe morale është pikërisht, sepse sa fillon një kauzë ajo mbaron e mbytur nga një turmë e etur për thashetheme. Cilido që nis një udhëtim emancipimi mundohet ta fshehë pjesën private të tij, që jo pak herë merret nga kundërshtarët për ta goditur.

Në rastin e Shqipërisë problemi po bëhet shumë kompleks këto ditë dhe pak jashtë këtij realiteti, sepse SPAK-u po shkon thellësisht deri tek figurat më të njohura publike, kryesisht duke ua hulumtuar pjesën e tyre private. Pak ditë më parë, interesit të publikut për kryebashkiakun e Tiranës Erjon Veliaj dhe familjarëve të tij, institucioni tregoi se po hetohej për “korrupsion pasiv”, por edhe vepra të tjera penale si “korrupsion aktiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje pasurish”, referuar VOA-s. Pak orë më vonë, mëtuesi i tij i Bashkisë Belind Këlliçi, që vazhdimisht ka qenë përballë SPAK për të akuzuar, doli me të njëjtën fytyrë të mërzitur nga institucioni. Ajo, që ishte private, dhe që habitshmërisht njihet nga shumë njerëz, tashmë ishte kthyer në minus për personazhet e njohura, që në rast se SPAK-u, do ua argumentojë akuzat do u duhet të nisin një përballje bajagi të gjatë me Drejtësinë. Njësoj, si për ata, një sërë personazhesh të njohur të dy krahëve të politikës, duket se kanë përballje të vështira, veç atyre që tashmë janë rehatuar në burg.

Argumenti ynë shtrihet në një aspekt tjetër, kur të dhënat e publikut janë bërë tashmë domen i shumë duarve. Pak kohë më parë, ishin publike të dhënat e rrogave, të dhënat bankare dhe shumë elementë të tjerë. Jo më kot, çka ua vështirëson më shumë jetën partive të vogla dhe personaliteteve që janë në opozitë sot, sidomos nga shoqëria civile, është pikërisht jeta private. Të çudisin, që telefoni është pjesë e lloj-lloj agjencive që të marrin sistematikisht, për të pyetur!! Ndaj, personazhet që dëshirojnë ose aspirojnë të kenë një jetë publike, duhet që mbi të gjitha, t’i kenë punët sa më të kopsitura me ligjin. A jemi në një lloj totalitarizmi të ri? Hannah Arendt, si një nga aspektet kryesore të totalitarizmit, përshkruante faktin që sinonimi i tij nuk ishte ‘shteti i plotfuqishëm’ por thjesht fshirja e diferencës mes jetës publike dhe asaj private.

Në rastin e Shqipërisë kanë kaluar pothuaj të pandjera të gjitha rrjedhjet e informacioneve për publikun e gjerë dhe keqpërdorimi i tyre, duke u bërë shumë personazhe pjesë e linçimeve publike. “Cilido që mund të copëtojë privatësinë tënde, mund të të poshtërojë dhe të shkatërrojë marrëdhëniet e individit sipas dëshirës së vet, thotë Timothy Snyder në serinë e eseve-(leksione) të tij për Tiraninë”, në sythin “Krijo një jetë private”. Përpjekja për të nxjerrë çdo gjë private të individëve, sidomos atyre që janë të dobët dhe pa mbështetje, nuk shoqërohet asnjëherë me kontekstin, se kur janë marrë gjëra të caktuara. Shoqëria nuk përgjigjet për këtë fakt, që është domethënës.

Në këtë rast, fjala nuk është për ata që po shkojnë para SPAK-ut dhe kanë ditur ta fshehin si pakkush pjesën private të tyre, atë që “të dobëtit” e kanë të pamundur në një shtet me elementë tipikë para totalitarë. Ndaj, Drejtësia sot, po shkon afër familjeve, miqve dhe sidomos lloj-lloj bashkëpunëtorësh si në rastet e sipërme që flitet për njerëzit e Bashkisë, ndërkohë që “vëmendja” e burimeve të ndryshme mediatike shpesh dhe më shpesh bie mbi privatësinë e njerëzve të thjeshtë, që mundohen të mbijetojnë apo ata që kanë një jetë fare normale.

“Uria jonë për sekretin, mendonte Arendt, është në mënyrë të rrezikshme politike. Totalitarizmi heq dallimin mes jetës private dhe asaj publike jo vetëm për t’i bërë individët të robëruar, por gjithashtu për të tërhequr të gjithë shoqërinë larg politikës normale dhe drejt teorive të komplotit”, marrë nga citimi i Snyder. Dhe, kjo e ka bërë Shqipërinë të mbyllet me teoritë e konspiracionit, me individët që flasin sikur të kenë në zotërim dosjet dhe çështjet e SPAK-ut, apo Nostradam-asit e pafundëm që na rrethojnë. Ndodh shpesh e më shpesh, që nuk dimë asgjë më sesi jeton shqiptari i zakonshëm, për të mos thënë sesi mbijetojnë fshatra dhe qytete që po braktisen.

Rasti i këngëtares së njohur shqiptare në SHBA ishte edhe më i dhimbshëm, kur personazhe të ndryshëm, iu futën deri në aspektet më intime, ashtu si shumë personazheve të tjerë (para saj), sulmet ndaj të cilëve kanë qenë të frymëzuar nga smira. Vazhdimi është i njëjtë: kur e gjithë kjo vëmendje te privatja teprohet, pas pak kuptohet se shoqëria futet në spirale kotësie, që nuk kanë asnjë impakt. Pikërisht, kjo është mënyra sesi sot kinse regjimet demokratike në Evropë po e mbajnë publikun në terr për punët e tyre dhe mbi të gjitha për drejtimet totalitare, që po ngrihem ballë syve tanë.

Një i tillë, për çdo ditë, është edhe ai që sot shqiptarët kanë para syve me qeverisjet respektive të Ramës e Kurtit në Tiranë e Prishtinë. Publiku vazhdon të përcjellë ato që sjell qeveria dhe shumë herë dhe opozita (tandemi), që mban një pushtet të tillë, por jo shqetësimet. Ne mësojmë për përplasjet e tyre (shpesh false), por nuk dimë asnjëherë shumë për sferën private, si përshembull interesat ndërtimore në kryeqytet përfshijnë bashkë të Majtë e të Djathtë.

Pse publiku e ka dorëzuar vallë privaten e tij dhe pse nuk i bën më përshtypje?

Në masë, duket se publiku ynë, është i kënaqur të jetë pjesë e linçimeve dhe histerive kolektive ndaj personazheve të ndryshme, pikërisht i sens që i mungon kur duhet të ngrejë probleme për korrupsionin, çmimet, energjinë (në Kosovë vetëm tani “u kuptua” se do kishin dimër të vështirë!!). Kjo të bën të mendosh se mbrojtja e të drejtave të njeriut mes shqiptarësh është më shumë se detyrë, është mënyrë që shoqëria jonë të shërohet nga ajo që po i ndodh para syve, që tashmë ashtu të zhveshur, e kanë vendosur thjesht si publiku entuziast i arenave të lashta të Romës, që të kënaqet me spektaklin bosh, që ofrojnë “të fortët” e qeverisë që tashmë po tranden, falë edhe zgjimit të SPAK.

Ky moment, që po kalojnë shqiptarët, i takon vërtetë asaj, që Arendt e quante dikur “Degradim i shoqërisë në turmë” dhe rasti i Shqipërisë e Kosovës po e tregon më së miri këtë. (Homo Albanicus)

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb