Dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Spiro Dushku, ka folur në një lidhje telefonike për “News24” lidhur me situatën e krijuar te Gjykata Administrative e Tiranës, ku studentët dhe pedagogët janë mbledhur në pritje të vendimit për Kopshtin Botanik, nëse do të rrëzohet ose jo vendimi i qeverisë për ta kaluar atë në pronësi të Bashkisë së Tiranës.
Dekani Dushku tha se sapo ka përfunduar seanca e parë dëgjimore, në të cilën kanë munguar përfaqësuesit nga pala e akuzuar, përkatësisht Kryeministria dhe Ministria e Arsimit.
“Sapo ka përfunduar seanca e parë dëgjimore, ku munguan përfaqësuesit kryesor nga pala e akuzuar, që janë ata të Kryeministrisë dhe të Ministrisë së Arsimit.
Ne nuk jemi këtu për të treguar se kush ka muskuj më shumë, por ne do ta mbrojmë Kopshtin Botanik. Nuk e konsideroj si luftë, por një shans për studentët, pa cenuar rëndësinë e këtij aseti, si një qendër e kërkimit shkencor. Ne do ta mbrojmë Kopshtin Botanik me rrugë ligjore”, u shpreh Dushku.
Ditën e sotme, Fakulteti i Shkencave të Natyrës paditi vendimin e Këshillit të Ministrave për ta kaluar Kopshtin Botanik në pronës të bashkisë, pasi më parë ai ka qenë pronë i këtij fakulteti.
(BalkanWeb)