“Integrimi evropian është përshpejtuar aq shumë sa që jo të gjitha e vendet e Bashkimit Evropian mund të mbajnë ritmin me Gjermaninë”, tha Presidenti gjerman Joachim Gauck në një intervistë për gazetën “Welt am Sonntag”.

Sipas politikanit, nevojitet një pauzë në procesin e integrimit evropian sepse jo të gjithë ndihen si “qytetarë të botës”.

“Shumë persona janë të pakënaqur me faktin se bota jonë po kthehet në një organizëm të vetëm”, tha Presidenti Gjerman Gauck. Ai nënvizoi se projekti evropian është një arritje e madhe dhe se Evropa e Bashkuar qëndron për paqe, lirinë, sigurinë dhe demokracinë. Në të njëjtën kohë, ajo duhet t’i mundësojë njerëzve një ndjenjë përkatësie dhe një ndjesi të vatrës.

“Ne duhet të mendojmë për të bërë një pauzë për menduar se çfarë objektivash duam të arrijmë dhe me çfarë ritmi do t’i arrijmë”, hodhi mendimin politikani

President gjerman Gauck paralajmëroi për “mpakje të sovranitetit” të kombeve evropiane.
“Nëse diçka mund të bëhet në nivel kombëtar, atëherë duhet të qëndrojë në nivel kombëtar.

Sipas Presidentit gjerman Gauck, aktualisht qëllimi kryesor është fuqizimi i Bashkimit Evropian dhe rikthimi i besimit tek njerëzit në projektin e Evropës së bashkuar.

“Një pauzë nevojitet për të rikthyer mbështetjen e publikut, i cili është thyer në disa vende” tha ai.

Sipas tij pauza do të rikthente mbështetjen e atyre njerëzve, të cilët janë të pakënaqur me BE-në, edhe pse shumica prej tyre jetojnë në vende që përfitojnë ndjeshëm nga anëtarësimi në BE, duke përfshirë edhe në kuadrin financiar.

Evropa pa një rritje të euroskepticizmit (dyshim në ecurinë e Bashkimit Evropian) gjatë muajve të fundit, pasi Mbretëria e bashkuar votoi në një referendum mbarëkombëtarë për t’u larguar nga BE-ja.

“Ne duhet t’u tregojmë evropianëve se Bashkimi Evropian bazohet mbi parimet e lirisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit”, shtoi Presidenti gjerman Gauck.

Ai tha se ideja e një Evrope të bashkuar nuk ka vdekur, por përshpejtim i mëtejshëm i procesit të integrimit rrezikon të shkatërrojë projektin politik më ambicioz në Perëndim.

Joachim Gauck është President i Gjermanisë që nga marsi i viti 2012. Mandati i tij presidencial përfundon në vitin 2017. Sipas ligjit, Presidenti i Gjermanisë është një post kryesisht përfaqësues, ndërsa pushteti është përqendruar në duart e kreut të qeverisë, Kancelari i Gjermanisë.
Përktheu: Ilir Sinanaj

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb