TIRANË

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka reaguar pas deklaratës së ambasadës amerikane në Tiranë ku përmendej dhe emri i tij.

Në një status në “Facebook” duke iu referuar dy lajmeve të pasqyruara në “BalkanWeb”, i pari deklarata e ambasadës së SHBA dhe i dyti analiza e Andi Bushatit në News24, Tahiri shqipton një sërë akuzash ndaj tyre.

“Siç nuk duhet të ndodhte në një vend normal, për fat të keq ka ndodhur që Ambasada Amerikane ka folur për hetimin ndaj meje më shumë se ç’kam folur unë vetë. Ndodhi sërish edhe sot!

Ndërsa ky lapsprishuri, e gjeti rastin e radhës të vjelli banakut duke më bërë mua simbolin e dështimit të reformës në drejtësi.
Reformës në drejtësi në Itali e ka fjalën ky??? Atje ku u hetova jo politikisht por profesionalisht dhe përfundimi ishte SE NUK KAM ASNJE LIDHJE me gjithë llumin që e ka mbushur opinionin publik soji këtyre këtu.

Se ç’lidhje ka reforma në drejtësi këtu tek ne me hetimet nga Prokuroria Antimafia e Italisë prej nga ku mora drejtësinë që më takonte, këtë nuk e gjen dot as ky analisti në kulm të ligësisë së vet.

Por është motiv i bollshëm për të hedhur baltën e radhës, siç kanë bërë me pash deri sot.
Unë nuk besoj kurrë se Ambasada Amerikane është kthyer në Prokurori a Gjykatë mu si ky klubi i analistëve palaço që ka me kile në vendin tonë, ndaj e përshëndes prononcimin me besimin se duam e presim të njëjtën gjë; DREJTËSIA TË BËJË DREJTËSI!”, shkruan Tahiri.

Tahiri Fb
Tahiri Fb

Përmes një postimi në Facebook, ambasada e SHBA përshëndeti vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për dënimin e Emiljano Shullazit dhe grupin të tij, ndërsa shprehej se “pret që sundimi i ligjit të zbatohet gjatë hetimit në vazhdim për Saimir Tahirin dhe Ervis Martinajn”.

“Gjykata e Krimeve të Rënda të Shqipërisë dënoi Emiljano Shullazin dhe grupin e tij, por presim përparim të vazhdueshëm në rrugën e Shqipërisë drejt sundimit të fortë të ligjit. Dje, Gjykata e Apelit të Tiranës dëgjoi argumentet e prokurorëve lidhur me masën e sigurisë për Ervis Martinaj. Ne presim hetimin e plotë të tij, ashtu siç presim që sundimi i ligjit të zbatohet gjatë hetimit në vazhdim për Saimir Tahirin. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj së ardhmes së Shqipërisë. #KushEKaRradhën”, shkruante ambasada amerikane.

Po duke komentuar këtë deklaratë analisti Andi Bushati tha në News24 se lajmi i këtij njoftimi të ambasadës është përmendja e Saimir Tahirit.

“Në qoftë se në çdo vend normal një ambasadë do bënte një paralajmërim me emra do ishte jo normale. Ambasada amerikane me sa duket po ndihet 50% fajtore sepse është autorja protektorja e reformës në drejtësi. Një reformë që po ngjall zhgënjim tek shqiptarët. Rasti i Saimir Tahirit është një nga margaritarët e kurorës së këtij zhgënjimi”, deklaroi Bushati.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb