TIRANË

Numri dy i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka komentuar në rubrikën “Opinion”, në News 24, deklaratën e bujshme të ish-ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili kritikoi ashpër PS dhe të gjitha forcat politike për rastin e Valdrin Pjetrit, duke kërkuar një reformë të thellë politike, që do të shfaroste fenomenin e përfshirjes në politikë të personave të kriminalizuar.


Lidhur me këtë, kreu i grupit parlamentar të PS deklaroi se çështja e Pjetrit është diskutuar në PS dhe ditët në vijim, sipas tij, do të ketë një zgjidhje jo vetëm për këtë parti, por edhe për çdo forcë politike, ndonëse nuk dha detaje se si do të zgjidhet kjo situatë.


Ai tha se Valdrin Pjetri, i cili ka dhënë dorëheqjen pas publikimit të dokumenteve nga PD, ku rezultonte i dënuar në Itali për trafik droge, duhet të përballet me ligjin në mënyrë individuale, pasi përgjegjësitë nuk mund t’i marrë forca politike. Sipas numrit 2 të PS, nëse Valdrin Pjetri nuk ka deklaruar ngjarjen në Itali në formularin e dekriminaizimit, ligji e ka të qartë dënimin për të dhe këdo tjetër.


“E para, në PS është diskutuar për këtë çështje dhe ajo që ne do të bëjmë në vijim është zgjidhja jo vetëm për ne, por për çdo forcë politike. Duhet të kuptojmë se marrëdhënia me ligjin është një marrëdhënie individuale dhe përgjegjësitë nuk mund t’i marrë forca politike, që nga verifikimet paraprake na verifikonte që Pjetri nuk ka pasur probleme. Ne jemi vënë në dijeni të një certifikate, ajo që lëshon Ministria e Drejtësisë, që ka të bëjë me mos të qenit i dënuar. Nëse nuk e deklaron, ligji e ka të qartë edhe dënimin”, tha Balla.

Deklarata e Ditmir Bushatit:
“Çështja e diskutimit ka qenë edhe situata në Shkodër, e krijuar pas zgjedhjeve në 30 qershor. Mendoj që me rastin e fundit në Shkodër, kemi para nesh pikën e derdhjes, një fenomen që duhet ta trajtojmë me seriozitetin e duhur. Të gjithë faktorët politikë duhet t’i ofrojmë qytetarëve njerëzit më të mirë. Tani kjo është një çështje që shkon përtej mureve të një organizate politike, por në fund të ditës ne jemi politikanë.

Kemi nevojë për një reformë politike, që të sjellë një sistem të ri llogaridhënës, PS duhet të jetë parti e progresit dhe e komunitetit. Ne na takon që të njohim realitetin dhe përgjegjësinë politike dhe të themi na falni për rastin në fjalë. Jam krejt i bindur, që ne jemi një familje e madhe politike dhe askush nuk duhet të jetë i ligështuar, ne kemi përgjegjësinë e madhe për ta shfarosur këtë fenomen. Unë besoj se PS është partia e progresit, intelektit dhe komunitetit”-tha ai.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb