TIRANE- Ambasadori amerikan Donald Lu teksa foli me emra konkrete, si ish-ministri Saimir Tahiri, Roshi, Frrokaj apo edhe ish-kryeprokurori Llalla, tha se do të ndalin para gjykatës.

Diplomati amerikan tha sot në ‘Opinion’ se fati i ish-ministrit nuk do të vendoset më nga parlamenti apo prokurorët, por nga gjykata, ndërsa paralajmëroi përballjen e Tahirit me drejtësinë. Lidhur me këtë çështje ai tha se ‘Kemi parë tashmë në media shumë prova’.

“Vitin e kaluar, nuk kishte hetime, me sa di, kundër këtyre trafikantëve të mëdhenj të drogës apo zyrtarëve të lartë. Çfarë kemi sot? Mendoj se është shumë interesante. Shikoni çështjen kundër Adriatik Llallës. Ka shumë në media tani lidhur me këtë çështje. Po hetohet për korrupsion. Qeveria e SHBA po ndihmon në atë hetim. Shikoni Saimir Tahirin – ish-ministri i Brendshëm shumë i fuqishëm. Po hetohet dhe besoj se jemi pranë ndjekjes penale në këtë çështje. Fran Frrokaj, Kryebashkiak i Lezhës, tashmë në arrest shtëpiak për korrupsion; dhe Elvis Roshi, ish-kryebashkiak i Kavajës, kërkohet për ndjekje penale nga ky prokuror për falsifikim dokumentash dhe se ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit për një dënim për përdhunim në grup në Itali. Çështja kundër Saimir Tahirit meriton të vendoset nga një gjykatës, jo të vendoset nga politikanët, jo të vendoset nga prokurorët që nuk bëjnë punën, por duhet të vendoset nga një gjykatës që do të shohë me transparencë provat e çështjes. Kemi parë tashmë në media shumë prova.” tha Donald Lu
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb