Anila Jole, kryeredaktore e News24  debatoi me zv/drejtorin e Policisë së Tiranës, Idriz Daullja sa i takon ngjarjes së rëndë te shkolla “Fan Noli” ku nxënësi 14-vjeçar Martin Cani u vra me thikë nga një bashkëmoshatar. Jole iu drejtua numrit 2 të policisë se median dhe gazetarët nuk duhet t’i shohin si armike në përpjekjet për të zbardhur ngjarjen e rëndë që tronditi mbarë opinionin publik. Gjithashtu, Jole vuri në dukje se policia ka qenë kontradiktore në reagimet pas ngjarjes, por edhe ka hedhur akuza drejt gazetarëve e mediave.

Debati

Jole: Media është aleate e policisë në luftën kundër krimit dhe zbardhjes së të vërtetës. Pas vdekjes së Martinit dhe ngjarjeve të tjera na keni parë si “armiq”, si kundërshtarë, si njerëz që duam t’ju luftojmë apo t’ju fajësojmë. Të jeni të sigurt se edhe në këtë tryezë dhe gjatë gjithë punës sonë punojmë për t’ju ndihmuar që të zbardhni të vërtetën. Edhe nëse ju bombardojmë me pyetje apo qoftë me aludime dhe fakte, e bëjmë që të zbulohet e vërteta. Armiku juaj është krimineli dhe jo gazetari.

Nëndrejtori tjetër i policisë, kolegu juaj, ka dhënë deklarata kontradiktore lidhur me pamjet e momentit të vrasjes së Martinit dhe plagosjes së Luisit. Janë ato pamje apo jo?

Zv/drejtori i policisë së Tiranës: Kemi pamje në afërsi të momentit, por jo kur ka ndodhur.

Jole: Në deklaratën e djeshme shpreheni: Autori i ngjarjes është goditur i shtrirë për tokë nga viktima dhe shoku i këtij të fundit. Ai ka reaguar duke qëlluar me thikë, ndërkohë nga dëshmitë e personave të pranishëm në konflikt…

Zv/drejtori i Policisë së Tiranës: Janë nga dëshmitë.

Jole: Po dëshmia e Luisit pse nuk prevalon mbi këto dëshmi?

Zv/drejtori i Policisë së Tiranës: Edhe dëshmia e Luisit është vlerësuar si dhe provat e tjera që janë mbledhur. Po kryhen disa ekzaminime dhe pritet të mbërrijnë përgjigjet. Kemi edhe një kushëririn e Luisit që ka qenë prezent dhe nuk pretendon që të ketë qenë një person i dytë me thikë.

Jole: Oficeri i policisë gjyqësore ka thënë janë 5 të mitur, ju me 3 dhe tani del që janë 9…

Zv/drejtori i Policisë së Tiranës: Ne kemi 9 persona të përfshirë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb