Presidenti i SHBA-së, Donald Trump e kritikoi presidentin Volodymyr Zelensky, pasi tha se një marrëveshje paqeje me Rusinë mbetet “shumë, shumë larg”.
Zelensky e bëri vërejtjen në një intervistë të 2 marsit me mediat britanike, duke thënë se negociatat ishin në fazat më të hershme dhe se një zgjidhje me Moskën mbetet një perspektivë e largët.
“Kjo është deklarata më e keqe që mund të ishte bërë nga Zelensky dhe Amerika nuk do ta durojë atë për shumë kohë”, postoi Trump në Truth Social.
Trump e kapi deklaratën, duke e përdorur atë si provë të supozuar se Zelensky nuk dëshiron paqe.
“Ky djalosh nuk do që të ketë paqe për sa kohë që ka mbështetjen e Amerikës”, shkroi Trump , duke pretenduar se liderët evropianë i kishin thënë Zelenskyt se “nuk mund ta bëjnë punën pa SHBA-në”.
Në një postim të veçantë, Trump kritikoi Evropën, duke pretenduar se vendet e saj kishin shpenzuar më shumë para për blerjen e naftës dhe gazit rus sesa për mbështetjen e mbrojtjes së Ukrainës.
Komentet pasojnë largimin e hershëm të Zelensky nga Uashingtoni më 28 shkurt pa nënshkrimin e një marrëveshjeje mineralesh SHBA-Ukrainë pas një konfrontimi të tensionuar me Trump dhe zëvendëspresidentin JD Vance në Shtëpinë e Bardhë.
Në ditët që pasuan, disa zyrtarë amerikanë dhe ligjvënës republikanë kanë përshkallëzuar kritikat ndaj Zelenskyt, me disa që sugjerojnë se ai duhet të japë dorëheqjen.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Mike Waltz, tha për Fox News se administrata amerikane pret që Zelensky të tregojë keqardhje dhe të angazhohet për nënshkrimin e marrëveshjes së mineraleve.
Trump diskutoi pezullimin ose anulimin e mundshëm të ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën, përfshirë armët e premtuara nën administratën e Presidentit Joe Biden, raportoi New York Times.
(A.A/BalkanWeb
