TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Kreut të Komisionit të Sigurisë Spartak Braho për Byronë Kombëtare të Hetimit. Paloka tha se vendimi i Kushtetueses ishte i drejtë dhe se deklaratat e Brahos janë në vijim të sulmeve ndaj gjykatave.

“Deklarata e Brahos, vijim i sulmeve ndaj gjykatave. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i drejtë. Byroja Kombëtare e Hetimit nuk mund të ngrihet. Sulmi i radhës ndaj gjykatave, nuk është habi”, tha Paloka.

Sipas tij, me ngritjen e byrosë, Rama vë nën kontroll drejtësinë. “Po e kthejnë vendin në Moskën e Putinit”, theksoi ai. Në lidhje me përplasjet e PD-së me aleatët politikë dhe bashkimin e PDK-së me të majtët, Paloka nuk ka dashur të prononcohet. “Asnjë qëndrim për aleatë dhe ish-aleatë të PD-së”, ka thënë ai.

Deputeti i LSI-së, Spartak Braho e quajti vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e ngritjes së Byrosë Kombëtare të hetimit, vendimin më të keq. Braho tha se megjithëse Gjykata e rrëzoi, maxhoranca do të gjejë modalitetet për ta ngritur këtë institucion.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb