Nga: ILIR KALEMAJ*
Artikulimet e fundit të kryeministrit në lidhje me një bashkim të mundshëm mes Shqipërisë dhe Kosovës në rast se Bashkimi Europian. nuk përshpejton procedurat e anëtarësimit për të dy vendet, duket se ka ngritur një furtunë në një gotë uji, pasi mjaftoi një deklaratë e ashpër nga Maja Koçijançiç, zëdhënësja e BE-së që menjëherë Ministria jonë e Jashtme të sqaronte që bëhej fjalë për integrim brenda BE-së, pra hiç më shumë e hiç më pak se çka qenë qëndrimi i qeverisë së mëparshme në mënyrë konstante. Së dyti, Shqipëria do të vlerësohet për kuadrin e reformave të realizuara dhe retorika të tilla si “BE nuk bën dot pa Shqipërinë, sikundër nuk bën Shqipëria pa BE-në”, jo vetëm që nuk janë iluminuese për këdo që i dëgjon, por tregojnë një infantilitet në rastin më të mirë apo fodullëk të pamerituar.
Progresi i vendeve të veçanta matet nga progres-raportet specifike. Raportet e fundit të Komisionit për vendet e Ballkanit Perëndimor, të diskutuara në Parlamentin Europian në 10 Mars ku kaluan rezolutat respektive në mënyrë të qartë nënvizojnë problemet që secili prej këtyre vendeve ndesh në lidhje me konsolidimin e shtetit të së drejtës, diskriminimin, korrupsionin, polarizimin politik dhe reformat strukturore. Nga ana tjetër përgëzon vazhdimin e diskutimeve të nivelit të lartë Prishtinë-Beograd dhe thotë që raportet mes tyre duhen normalizuar sa më shpejt. Specifikisht në lidhje me Serbinë, Parlamenti Europian nënvizon që duhet të reformojë gjyqësorin, të rrisë transparencën e pronësisë së mediave dhe të sjellë politikën e saj të jashtme në të njëjtat shina me atë të BE-së, veçanërisht në lidhje me Rusinë etj.
Në lidhje me Kosovën, Parlamenti thekson se Kosova pati një vonesë 6-mujore si rezultat i ngërçit politik në vend që duhet tejkaluar një orë e më parë dhe duhen adresuar si pavarësia e gjyqësorit, ashtu edhe masa efektive në luftën kundër korrupsionit. Nga ana tjetër dhe ky është lajm shumë i mirë për vendin, i bën thirrje Këshillit të Ministrave (organit ko-legjislativ me fuqi kryesore vendim-marrëse) të adoptojë sa më shpejtë këtë vit, vendimin për nënshkrimin e MSA-së me Kosovën, sepse gjykon se kjo do ti nxisë reformat edhe më tej, në mënyrë të shpejtë. Po ashtu, raportuesja për Kosovën, çekja Ulrike Lunaçek kërkoi liberalizimin e vizave me Kosovën dhe ju bëri edhe njëherë thirrje 5 vendeve të BE-së që nuk e njohin ende që ta njohin sa më shpejt.
Mali i Zi, prej kohësh vendi lider në rajon që nënshkroi statusin e vendit kandidat qysh në 2010 dhe hapi negociatat në 2012, ndonëse shtet i pavarur vetëm prej 2006-ës, mori përgëzime shtesë nga Parlamenti për hapjen dhe mbylljen e shpejtë të kapitujve të ndryshëm të negociatave për anëtarësim të plotë, si dhe për sjelljen në të njëjtën vijë të politikës së jashtme me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së. Por nuk munguan as në këtë rast rekomandimet për luftë të mëtejshme ndaj korrupsionit, pavarësinë e gjyqësorit dhe më tepër pavarësi për median.
Së fundmi për Maqedoninë, thirrja parësore për këtë vend është për një bashkëpunim politik konstruktiv veçanërisht pas skandalit të përgjimeve dhe antagonizmit të skajshëm politik këto dy vitet e fundit. Madje në një akt të paprecedentë, BE rezervon të drejtën për të hyrë si negociatore mes palëve, duke autorizuar shefen e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini-n për të ndërmarrë iniciativa që do lehtësojnë dialogun mes qeverisë dhe opozitës në këtë vend.
Në lidhje me Shqipërinë, shpresa se Komisioni Europian do të arrijë qoftë edhe në shtator të rekomandojë hapjen e negociatave, në mënyrë që kjo të artikulohet si sukses i qeverisë në përmbushjen e reformave, është e pavend dhe utopike, sipas shenjave qartësisht të lexueshme që vijnë nga Brukseli. Vetëm përmbushja e reformave të tilla si lufta reale kundër çibanit kancerogjen të korrupsionit, depolitizimi i administratës dhe dhënia fund e emërimeve nepotike, klienteliste dhe patrimoniale, stimulimi i ekonomisë nëpërmjet realizimit edhe të premtimeve elektorale (si hapja e 300 mijë vendeve të punës, ulja nga 20% në 6% e TVSH-së për energjinë elektrike, reforma gjithëpërfshirëse në drejtësi, shëndetësi dhe arsim), mund të bënin të mundur të shohim dritë në fund të tunelit, përkundër fasadave estetike dhe fushatave propagandistike për të cilat qeveritarëve të sotëm nuk ua ha qeni shkopin.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: