Në një kohë kur kryeministri Edi Rama ka shigjetuar disa herë këto ditë në shënjestër të akuzave të tij mediat, vjen një reagim nga presidenti Ilir Meta.

Në një intervsitë për emisionin ‘Përballë” Meta tha se është kundër demonizimit dhe çdo lloj censure ndaj medias, të cilën e ka falenderuar për punën e bërë veçanërisht për raportimin e pasojave të tërmetit.

PJESË NGA INTERVISTA
Gazetarja: Zoti Meta, për t’u kthyer sërish te situata e jashtëzakonshme e krijuar pas tërmetit të 26 nëntorit. Ju keni folur edhe për median, ju citoj ku shpreheni se vlerësoni punën e gazetarëve, por keni bërë thirrje që ky moment mos të përdoret për të shënjestruar median. Kujtoj se u ndaluan nga policia dy administratorë të një portali dhe një vajzë që shpërndau në rrjetin social një shkrim, që u konsiderua se përhapte panik. A keni një qëndrim për këtë?

Presidenti Meta: Mendoj se qëndrimi im ka qenë tepër korrekt. Nëse mediat nuk do të kishin raportuar që në fillim, mund t’ju them që edhe për mua si Presidenti i vendit, do të ishte e vështirë të isha ndërgjegjësuar për pasojat e tmerrshme të tërmetit.
Ka qenë raportimi i menjëhershëm i mediave për ndërtesat e shkatërruara, për njerëzit nën rrënoja, që ka ndikuar mjaft në sensibilizim. A ka pasur kjo një lloj paniku?
Padyshim, vetë tërmeti do të thotë panik në një farë mënyre, por pa raportimin e tyre të vazhdueshëm, të palodhshëm, kanë ndenjur me ditë, me net pafund, do të ishte e vështirë që edhe situata të ndiqej nga të gjithë me vëmendje dhe me shqetësim nga të gjithë.
Por edhe të gjithë institucionet të punonin me përgjegjësi, të ishin nën presionin e opinionit publik. A mund të ketë patur një teprim këtu apo aty? Kjo është gjë tjetër, por kjo nuk duhet të përdoret si pretekst për të demonizuar rolin e mediave që në tërësinë e vet për mendimin tim ka qenë i jashtëzakonshëm, dhe më mirë të na mbajë media ne nën presion, që të bëjmë ne detyrat tona, sesa të mbajmë ne median nën presion në mënyrë që ato të mos raportojnë problemet apo shqetësimet që kanë qytetarët në terren.

Gazetarja: Ka patur komente se gjendja e jashtëzakonshme po përdoret për të goditur zëra kritikë ndaj qeverisë. A shikoni diçka të vërtetë në këtë drejtim?
Presidenti Meta: Unë mendoj se çdo zë kritik duhet dëgjuar me qëllim reflektimin dhe përmirësimin e gjithë këtij mekanizmi të funksionimit të përballimit të kësaj krize. Sepse është një krizë krejtësisht e re, me të cilën ne ndeshemi, sepse në 1979-n ka qenë një situatë tjetër, tjetër shtet, nuk ka patur media, ka patur vetëm një TVSH (Televizioni Publik Shqiptar), ndërsa tani jemi në një situatë krejtësisht të re.
Nuk duhet të ecim në rrugën e censurës, por duhet të ecim në rrugën e bashkëpunimit me median dhe në rast se do të ketë informacione zyrtare periodike më të vazhdueshme, edhe për çdolloj media po themi dashakeqe, se do të ishte më e vështirë për të dhënë një lajm jo real, apo informacione jo të sakta. Pra, duhet ta shikojmë edhe nga transparenca nga pozicioni jonë. Sa më transparentë ne të jemi, aq edhe më mirë informohet opinioni dhe mediat detyrohet të gjitha të respektojnë këto standarde transparence.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: