TIRANË

Ish-Presidenti Bujar Nishani ka folur në “A show” sot edhe për deklaratat e kryeministrit Edi Rama në seancën e fundit plenare ku tha ndër të tjera se “u desh Ilir Meta, të kujtonim për mirë Nishanin”. Ish-presidenti tha se është vijimësi e të qenit spekulativ dhe se gjatë kohës që ishte President dhe Rama kryeministër ishte një nga periudhat më të zeza të presionit.


“Së pari unë nuk e kam dëgjuar artikulimin e kryeministrit në adresën time por nëse e paska thënë kështu do të thotë që ai është në vijimësinë e të qenit të spekulativ, ‘in extremis’ dhe pa asnjë kod kufi, sepse gjatë kohës që unë isha President i Republikës dhe zotëria e tij ishte kryetar i qeverisë, i maxhorancës dhe kontrolle mbi pushtet absolute në Shqipëri, ka qenë një nga periudhat më të zeza të presionit dhe të shantazhimit të institucionit të Presidentit të Republikës”, deklaroi Nishani.


Ai foli edhe për dekretin e Presidentit të Rëpublikës Ilir Meta për anulimin e datës së zgjedhjeve.
“E konsideroj përdorimin e termit çdekretim që vjen nga politika jo nga media si një term spekulativ për të krijuar një kakofoni në interpretime dhe në krijimin e perceptimeve të qytetarëve. Presidenti i Republikës ka bërë një shfuqizim të një dekreti të tij, pra ka nxjerrë një dekret me të cilin shfuqizon një dekret të tijin të mëparshëm, çka e kanë bërë disa presidentë të mëparshëm, përfshirë edhe mua.


Tani dëgjoj prapë në mënyrë spekulative që të thonë shiko se ata presidentët e mëparshëm e kanë bërë me konsensusin e partive politike. Ky është një qëndrim kontrovers. Çdo të thotë që kryetarët e partive paskan të drejtë që të japin konsensusin që Presidenti me lejen e tyre ta shkelë Kushtetutën, ndërsa Presidenti me iniciativën e tij nuk mund të bëjë një shfuqizim?! Tani o ka shkelje Kushtetute o nuk ka shkelje Kushtetute”, tha Nishani.

Sa i përket 30 qershorit, ai theksoi se qëndron si një datë që provokon shumë përplasje sociale. “Askush të mos presë se shqiptarët do përplasen me njeri-tjetrin por qëndron si një provokim dhe prerogativ i rrezikshëm për të krijuar përplasje mes qytetarëve dhe personave apo institucioneve që tashmë janë në ilegjitimitet. provokim i panevojshëm”, u shpreh ai.

I pyetur nëse mund të bëjë Presidenti Meta një veprim spektakolar të shpërndarjes së parlamentit, Nishani u shpreh: “Së pari shpërndarja e parlamentit nga presidentit nuk është çështje e spektaklit por interpretimit kushtetues. Presidenti ka tagrin kushtetues. Sot kemi një parlament që nuk përmbush kushtin kushtetues të pasjes së 140 deputetëve, që të jetë legjitim. Presidenti ka më pak se 140 deputetë. Dhe të ishte 139 do ishte ilegjitim. Duhet të ketë 140 deputetë, është shpjegim eksplicit i Kushtetutës”, deklaroi ai.

(m.k/BalkanWeb)